Rend dhe Ligj

Vettingu, Kolegji shkarkon ish-prokuroren Rovena Gashi


Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin nga detyra të prokurores Rovena Gashi.
"Lihet në fuqi vendimi i KPK për shkarkimin e Rovena Gashit. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm,"-tha gjyqtarja.
KPA mori vendimin pas ankimit të Rovena Gashit lidhur me shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ish- prokurorja, Rovena Gashi nuk e justifikoi pasurinë.
Bëhet fjalë për 16 apartamente në Durrës të cilat dyshohet se i përkasin Nuredin Gashit, babait të Rovena Gashit.
Ajo ishte ish-drejtuese e njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme e njohur si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte kërkuar më herët rrëzimin e vendimit dhe rikthimin në detyrë.
Prokurorja e shkarkuar Rovena Gashi paraqiti një kërkesë të dytë për t’u përfaqësuar në procesin e apelimit të çështjes së saj nga e motra, Ema Gashi, e cila është njëkohësisht gjyqtare.

Rovena Gashi së bashku me motrëne saj dhe bashkëshortin në seanën e apelimit të vendimit të KPK-së

Në seancën e 23 prillit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e rrëzoi kërkesën për herë të dytë. Në të dyja rastet, kolegji gjykoi se gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të kryejnë rolin e mbrojtjes.
Në 25 korrik të vitit të kaluar, anëtarët e KPK Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj vendosën shkarkimin e prokurores nga detyra. Gashi, e pezulluar nga detyra për shkak se ishte nën hetim për fshehje pasurie, nuk ishte e pranishme në seancën e asaj kohe.
ILDKPKI konstatonte se deklarimet nuk janë te sakta, ka mungesë burimesh për pasurinë që ka dhe ka deklarim të rremë te pasurisë.
Rovena Gashi dhe bashkëshorti i saj, Dritan Gina punonin në Prokurori, duke mbajtur poste drejtuese në organin e akuzës, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, por të dy u ulën në detyrë menjëherë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të Prokurorisë në dhjetor 2017.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë