Rend dhe Ligj

Vettingu i “pret kokën” gjyqtarit Malaj, kandidatit për në Kushtetuese

Artur Malaj është shkarkuar nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit, duke e përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Vendimi u dha sot nga trupa e gjyqtarëve që përbëhej nga Rezarta Schuetz si kryesuese, Sokol Çomo relator dhe Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Luan Daci. Në argumentin e trupës thuhet se Malaj ka dhënë dëshmi kontradiktore për pasurinë e tij, çka çoi në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit. Trupa gjykuese e KPA-së ka konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.
Më 3 gusht 2018 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, por vendimi u ankimua nga komisioneri publik edhe me rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Malaj u konfirmua disa muaj më parë nga shkalla e parë e vettingut, ndërsa Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij dhe iu la si detyrë sjellja e analizës financiare. Për këtë të fundit, në seancën dëgjimore, Malaj hodhi dyshime sipas së cilit janë shtuar shpenzime që nuk i ka bërë kurrë në jetë. Një vilë 3 katëshe në Vlorë dhe bilanci negativ financiar për katër vite, kanë qenë arsye që kanë bindur trupën gjyqësore për të përjashtuar Malajn nga sistemi.
Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Ai ishte kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë