Politike

Vettingu i politikanëve, Basha: “Venecia”, për t’i dhënë kohë krimit

Të premten përputhen kushtet sipas rregullores së Kuvendit që propozimi i Partisë Demokratike për vettingun e politikanëve të merren në shqyrtim fillimisht nga Këshilli për Legjislacionin dhe më pas nga Komisioni i Ligjeve.

Nuk ka ende një vendim nga mazhoranca nëse do të shqyrtojë kërkesën e demokratëve për amendime kushtetuese që i hapin rrugë nismës së tyre, por Lulzim Basha kërkoi që të mos humbet më kohë.

“Të premten, sipas rregullores, Gramoz Ruçi duhet të mbledhë Këshillin e Legjislacionit”, deklaroi ai në një dalje para gazetarëve këtë të martë.

Basha përsëriti se nisma e tyre për vetting të politikanëve është një “copy-paste” e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pikërisht kjo ngjashmëri është shfrytëzuar nga socialistët, që thonë se në të vërtetë, pas këtij propozimi fshihet përpjekja e opozitës për të minuar reformën në drejtësi dhe vettingun e vërtetë.

Sipas mazhorancës, vettingun e politikës nuk mund ta bëjë vetë politika, por organet e reja që do të ngrihen nga reforma në drejtësi, duke iu referuar këtu Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Lulzim Basha rrëzoi këto akuza të mazhorancës dhe dha disa arsye se ku ndryshon vettingu në politikë nga ai në drejtësi. Ai thotë se vetingun e politikanëve nuk do ta bëjë politika, nuk do ta bëjë Kuvendi, struktura e vetingut do të përbëhet nga profesionistë të pavarur nga politika, do të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare, do të jetë i pavaruar nga vetingu në drejtësi dhe i thjeshtë e transparent.

“Vettingu në politikë as e ngadalëson dhe as e pengon vettingun në drejtësi.S’ka asgjë të përbashkët. Çdo gjë që dëgjohet është mashtrim nga Edi Rama dhe zëdhënësit e tij. SPAK dhe BKH kanë tjetër mandat, nuk kanë mandat vettingun, kanë mandat hetimin e politikanëve të korruptuar. Në rastin e vettingut barrën e provës e ka politikani, në rastin e hetimeve penale barra e provës është e organeve të akuzës. Në rastin e vettingut mund edhe të mos provohet përfshirja e politikanit në krim drejtpërdrejtë, por të provohet lidhja dhe kontaktet e tij me kriminelët. Këtë nuk e bën dot SPAK dhe BKH. Vettingu i largon nga vendimarrja e vendit politikanët e lidhur me krimin. Këto janë piketat kryesore me të cilat do të ecet përpara”, deklaroi ai.

Nëse për formulimin e projektligjit për pastrimin e politikës është zgjedhur vettingu në drejtësi, si model për zbatimin e tij, Lulzim Basha sheh ligjin e dekriminalizimit, për të cilin thotë se Edi Rama ka arritur ta shmangë.

“Edi Rama e shmangu duke mos futur më në lista kriminelët, por miqtë e tyre që bëjnë qarkun e shkurtër të lidhjes së krimit me qeverinë”, u shpreh ai.

Sinjalet nga kundërshtarët politikë të Lulzim Bashës janë për një mendim nga një palë e tretë. Pala e tretë për mazhorancën është ekspertiza e Komisionit të Venecias. Edi Rama e ka paralajmëruar këtë në një intervistë dhënë javën e kaluar për emisionin “Open” në Top Channel.

Basha thotë se Venecia e ka konsumuar disa herë thelbin e këtyre nismave dhe më shumë se nevojë të mazhorancës për konsultim me ekspertët e këtij Komisioni, e cilëson këtë lëvizje të mazhorancës si përpjekje për t’u dhënë më shumë kohë bandave dhe kriminelëve.

“Venecia është shprehur njëherë për këtë ligj dhe shqiptarët nuk kanë kohë që ajo të shprehet për një gjë që është shprehur katër herë. Kjo është blerje kohe për bandat dhe krimin e organizuar”, u shpreh ai.

Në takimin relativisht të gjatë me gazetarët, kreu i PD-së bëri një panoramë më të zymtë të situatës në vend. Nëse disa muaj më parë ai paralajmëronte se krimi, që kishte kapur Qeverinë kishte kaluar në një fazë të dytë; atë të kapjes së ekonomisë, tani flet i bindur.

“Krimi pasi ka kapur politikën, ka kapur edhe ekonominë publike dhe ekonominë private shqiptare”, deklaron Basha.

Si shembull për këtë akuzë foli me emra konkretë të mazhorancës.

“Kemi Jurgis Çyrbjen, të provuar si anëtar të bandës së Shullazit që qëndron i patrazuar në Kuvend. Kemi Fatmir Xhafajn, të vërtetuar si njeriu që ndihmoi vëllain e dënuar që t’i fshihej drejtësisë italiane derisa e denoncoi opozita dhe e ndihmoi të vazhdonte trafikun kriminal të drogës, ndihmoi ortakët e vëllait të tij, vëllezërit Murataj që të shtinin në dorë 1/3 të lojërave të fatit në Shqipëri për të pastruar paratë e pista të drogës. Fatmir xhafaj vazhdon të mbetet ministër i Brendshëm, i vetmi në Europë dhe historinë e Europës me vëllain e dënuar”, thotë ai.

Xhafajn e akuzon edhe për zvarritjen e ligjit të lojërave të fatit gjatë kohës që mbante kreun e Komisionit të Ligjeve, por listën nuk e lë me kaq.

Listën e vazhdoi me Alket Hysenin, që Basha thotë se pasi ka rrëmbyer prona në jug bën leksione në Parlament. Nuk kurseu as ministrat Ahmetaj e Gjiknuri. Të parin e akuzon për ortakëri me persona të dënuar në Europë për vrasje dhe trafik, të dytin si të regjistruar me kriminelë në pazare për blerje vote.

Pa komentuar nuk la as lirimin e Ermal Hoxhës, nipit të Enver Hoxhës të dënuar në 2015 si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të kapur për laboratorin e drogës në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Lirimin e sheh si shpërblim të Edi Ramës për Ermal Hoxhën.

Basha u ndal gjatë edhe tek Taulant Balla, ku me një gurë shënjestroi dy zogj.

“Kemi Taulant Ballën me Toyota Yaris dhe këtu prokuroria nuk vepron, madje vepron për dekonspirim”, u shpreh ai.

Me dekonspirim i referohet nisjes së hetimeve nga në fund të korrikut nga ana e Prokurorisë fill pas kapjes së 3.4 mln eurove në dy makinat tip Toyota Yaris në portin e Durrësit. Pak ditë para këtij operacioni Lulzim Basha i ishte drejtuar Taulant Ballës në sallën e Kuvendit: “Mos qesh ti aty, se ty të është diktuar Toyota Yaris me 6 mln euro në Belgjikë”.

Hetimet nuk e trembin, madje e sfidon Prokurorinë dhe hedh akuza të forta ndaj kryeprokurores Arta Marku.

“Silleni këtu kërkesën për arrestim për dekonspirim dhe ta merrni vesh se çfarë do të thotë mosbindje civile pastaj. Prokurori e dështuar, e blerë”, tha ai.

Në këtë dalje në krah kishte Gazment Bardhin dhe Oerd Bylykbashin. Ky i fundit kishte ironizuar në rrjetet sociale jo pak bilancin 9-mujor të Arta Markut në krye të organit të akuzës.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10217291146180141&set=a.10203376555444069&type=3&theater

“Sot Arta Marku është nëntë muajshe në krye të Prokurorisë. Asnjë bos rrjetesh kriminale nuk është kapur. Asnjë ministër, ish-ministër, deputet apo ish-deputet i lidhur me krimin, apo kriminel në vetë të parë, nuk është arrestuar e vënë para drejtësisë. U mbars reforma dhe polli një hiç të pafrymë!”, shkruante ai.

Si shumatore e të gjitha këtyre, Partia Demokratike sheh një situatë që po vendos në pikëpyetje stabilitetin e vendit.

Një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama nuk e mori, por mori ironizimin me ngjyra të forta për të gjitha këto akuza.

Shefi i Qeverisë iu drejtua rrjeteve sociale për të “zhvlerësuar” akuzat e rivalit të tij politik.

https://twitter.com/ediramaal/status/1042006275662520321

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë