Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdarin. Gjatë procesit të verifikimit në kuadër të vettingut, ai rezultoi me probleme sa i takon pasurisë dhe figurës. Trupa e KPK përbëhej nga Pamela Qirko, Roland Ilia dhe Olsi Komici. Gjyqtari s'ka qenë vetë i pranishëm në seancë, por është përfaqësuar nga avokati Sokol Hazizaj.
Trupa gjykuese vlerësoi se gjyqtari Gani Dizdari ka probleme me pasurinë dhe janë gjetur të dhëna edhe për lidhje të tij me botën e krimit.
Rasti i parë ka të bëjë me nipin e tij, i dënuar vite më parë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”.
Bëhet fjalë për një rast të vitit 2012, ku ai së bashku me persona të tjerë ushtronin ndikim në një trupë gjykuese në Gjykatën e Lartë që të lirohej një i dënuar me 20 vjet burg për vrasje.
Sipas KPK –së, gjyqtari Dizadari ka udhëtuar disa herë jashtë vendit me automjetin e nipit të tij.
Po kështu, problem për KPK-në është edhe pasuria e gjyqtarit.
Me shkarkimin e Dizdarit, mbyllet kështu procesi i Vettingut për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Me largimin e Gani Dizdarit, shkon në katër numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që u larguan nga sistemi i drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.