Lajme

Vetting-u në Policinë e Tiranës, 2256 efektivë dorëzuan formularët, 44 u dorëhoqën

Një ditë pas përfundimit të afatit për dorëzimin e formularëve të Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Policisë Tiranë ka publikuar disa të dhëna.

Referuar procesit, mësohet se nga 2300 punonjës të Policisë së Tiranës, 2256 efektivë kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, ndërsa 44 prej tyre kanë dhënë dorëheqjen.

Efektivët e policisë kanë deklaruar në formular të ardhurat vit pas viti dhe çdo pasuri që disponojnë.

Më herët, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se Vetting-u në Policinë e Shtetit nuk ka qëllim të penalizojë trupën policore përmes kleckave të dokumentacionit, por të evidentojë dhe largojë elementët policorë, sidomos ata në nivel drejtues që mund të kenë lidhje me krimin.

Ata punonjës që nuk justifikojnë pasurinë përjashtohen nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa çështja më pas iu kalon institucioneve ligjzbatuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë