Politike

Basha: Vetting politikës. Rama: Jam gati, sa më parë!

Pas Shkodrës, Elbasani ishte qyteti i dytë i zgjedhur nga opozita për të mbajtur Kuvendin e saj me qytetarët. Simbolika ishte e njëjtë, ajo e denoncimit të lidhjeve të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama me krimin.

Për Lulzim Bashën Elbasani është më domethënës së Shkodra dhe gjithë qytetet e tjera shqiptare. Ai u rikthye në 2015, duke iu referuar një aksioni të policisë shqiptare në bashkëpunim me ndërkombëtarët, që çoi në sekuestrimin e laboratorit të drogës në Xibrakë, ku u kapën 100 kilogramë kokainë e pastër.

“Këtu është gjeneza e bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Xibraka, fabrika e kokainës është çengeli që e mban të lidhur Ramën me krimin. Olsi Rama, vëllai i Edi Ramës është i përfshirë në këtë aferë kriminale të përmasave europiane”, deklaroi kreu i PD-së.

Akuzoi ish-ministrin dhe ministrin aktual të Brendshëm për fshehje të provave dhe për sabotim të punës së Komisionit Hetimor “Tahiri”, të ngritur nga Kuvendi.

“Provat që lidhin Olsi Ramën me këtë fabrikë të drogës janë fshehur në mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe vazhdojnë të mbahen të fshehura nga Fatmir Xhafaj dhe Ard Veliu. Prandaj sabotohet komisioni hetimor dhe Fatmir Xhafaj dhe Ard Veliut nuk kanë çuar asnjë dokument në këtë komision, sepse faktet tronditëse nga një hetim i plotë do të provojnë se bashkëpunimi i Ramës me krimin përmes vëllait të tij në trafikun e kokainës, ngriti çengelin e krimit të organizuar që ka marrë peng qeverisjen e Shqipërisë”, vijoi Basha.

Në momentin që Basha bënte këto deklarata, në krah të tij ishte vendosur kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Për të shprehur qëndrimin e unifikuar opozitar sa i takon situatës së sigurisë në vend, ai përdori rrjetet sociale dhe ironinë.

“Kaq keq ja kanë mbërthyer fytin kryeministrit, saqë s'ja mban të kapë kriminelët, qurrepset me statistika. Ne i themi ja ujku, ky thotë ja gjurmët, sepse është me ujkun, që në fund do ta hajë edhe atë vetë”, shkruan ai.

Për të shkëputur fijet që lidhin krimin me politikën, opozita propozon vettingun. Partia Demokratike beson se zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë së pari dekriminalizon plotësisht qeverisjes dhe politikën, lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin, ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale, pastron nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar.

Demokratët thonv se do ta institucionalizojnë kërkesën e tyre duke dorëzuar në Kuvend disa amendamente kushtetuese që mundësojnë zbatimin e procesit të vettingut edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë, ashtu si për gjyqtarët e prokurorët, por edhe punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Vendimi ynë është t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në radhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur”, u shpreh Basha.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur përmes rrjeteve sociale nismës së Lulzim Bashës për vetting të politikës.

“Veting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes Vetingut, s'do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t'i ikin drejtësisë. Ccdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve është e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”, shkruan Kryeministri.

Rrugën Tiranë-Elbasan, një projekt i nisur dhe përuruar nga demokratët në fushatën zgjedhore të 2013 me pak kilometra pa u realizuar ende, Basha e solli si shembull të ndërthurjes së korrupsionit qeveritar me lidhjet e krimit.

“Rruga nuk ka përfunduar dhe ka gëlltitur për shumë pak kilometra shumë më shumë para se pjesa tjetër e rrugës. Nënkontraktor i rrugës është Edmond Bego, miku familjar i Taulant Ballës, që ka marrë 10 mln euro për të mos ndërtuar këtë rrugë”, shtoi ai.

Me ish-Kryeministri Sali Berisha në krah, Lulzim Basha pranoi gabimet e qeverisjes së demokratëve, por thotë se tani ata janë gati që të qeverisin vendin.

“Bëmë gabime, për të cilat u ndëshkuam me votë dhe dolëm në opozitë, për t’u bërë më të mirë, më të gatshëm për ta çuar vendin përpara”, u shpreh ai.

Basha thotë se prej pesë vitesh opozita ka harxhuar energjitë e saj duke denoncuar kriminelët në zyrat e shtetit, ku i futi Edi Rama. Tani, koha është të përqendrohet diku tjetër.

“Duhet të reflektojmë pse ndodh kjo? Pse vjen një bandë në pushtet dhe bën vetëm keq duke zhdukur edhe mekanizmin e kontrollit ndaj saj, votën e lirë. Ai (Edi Rama) është me krimin, ne jemi me njerëzit, për t’i dhënë fund një elite të lidhur me krimin. T’i largojmë qeveritarët e lidhur me krimin nga zyrat dhe më pas para një drejtësi të pavarur dhe jo një drejtësie të kapur”, shtoi ai.

Pjesë e aksionit opozitar do të jetë një platformë, që Basha thotë se do të bëhet publike së shpejti. Megjithatë, ai bëri publike katër shtyllat e kësaj platforme.

“Çlirimi i drejtësisë, zgjedhje të lira e demokratike, ekonomi e çliruar nga monopolet e oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar janë katër objektiva kryesore të platformës tonë”, vijoi kreu i PD.

Kreu i PD-së paralajmëron se nëse gjërat nuk ndryshojnë, Shqipërisë rrezikon që t’i refuzohet edhe në qershor hapja e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë