Politike

“Vetingjet” fusin në sherr PD me ambasadorët

Donald Lu dhe Romana Vlahutin ishin dy ambasadorët që u përplasën drejtpërdrejtë me opozitën në ditët kur diskutohej reforma në drejtësi dhe sidomos ligji i vettingut. Sot, në tryezën e deputetëve është një tjetër vetting dhe duket se largimi i ambasadorit amerikan dhe i ambasadores së BE-së, nuk ka larguar “përplasjet” e opozitës me përfaqësuesit ndërkombëtarë.

Aktualisht, Partia Demokratike e kushtëzon pjesëmarrjen e saj në Kuvend me miratimin e projektligjit të depozituar për vettingun e politikanëve. Për këtë propozim, në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, mazhoranca votoi për dërgimin e tij në Venecia. Por, PD thotë se ligji është një “copy-paste” e vettingut në drejtësi, për të cilin Venecia e ka dhënë njëherë dritën jeshille dhe nismën e socialistëve për konsultim me Komisionin e Venecias e quan përpjekje për ta vonuar dhe zvarritur këtë projektligj.

“Venecia është shprehur një herë për këtë ligj dhe shqiptarët nuk kanë kohë që ajo të shprehet për një gjë që është shprehur katër herë. Kjo është blerje kohe për bandat dhe krimin e organizuar”, deklaron Lulzim Basha.

Nëse kërkesa refuzohet, Partia Demokratike nuk përjashton mundësinë e bojkotit të Kuvendit. Lulzim Basha e sinjalizoi i pari këtë.

“Në ditët e ardhshme ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me qyetarët që të marrim një mendim dhe më pas një vendim nëse Edi Rama e bllokon vettingun në politikë. Por, nëse nuk pranohet projketligji, ne na lind detyra edhe që të djegim mandatet”, deklaroi Basha gjatë intervistës së dhënë me Eni Vasilin në emisionin “Open” në Top Channel.

Deputeti i PD, Edi Paloka

Po përmes Top Channel, Edi Paloka përforcoi këtë qëndrim.

“Në cilin Parlament të shkojmë?! Në atë Parlament ku janë përdhunuesit?! Ata që mbrojnë përdhunuesit, përfaqësuesit e krimit?! Aty të shkojmë edhe ne, të bëhemi pjesë?! Ne në atë Parlament nuk shkojmë. Nëse Rama e pranon këtë, ne do të futemi të realizojmë këtë akt; nëse nuk e bën, do të reagojmë në formë tjetër”, deklaroi Edi Paloka.

Qëndrimi këmbëngulës i demokratëve në këtë pjesë duket se po i fut në një spirale tjetër përplasjeje me përfaqësitë diplomatike të huaja në Tiranë. Ambasada Amerikane nuk është shprehur ende për këtë, por një prononcim para largimit e dha Donald Lu.

Ish-ambasadori Donald Lu ne interviste per Real Story, ne Vizion Plus

“Opozita ka vënë në tavolinë një propozim që e konsideroj interesant. Në Amerikë kemi shprehjen, “djalli qëndron tek hollësitë,” dhe po studiojmë hollësitë e propozimit të tyre tani dhe Kryeministri juaj Edi Rama ka thënë tashmë se ai dhe Partia Socialiste janë gati tani të fillojnë negociatat mbi bazën e propozimit të tyre. Le të shohim se çfarë janë në gjendje të arrijnë ato negociata”, deklaroi ish-ambasadori amerikan në Tiranë.

Ky është i vetmi qëndrim i njohur i Ambasadës Amerikane mbi këtë nismë deri më tani, por zërit të Uashingtonit u janë shtuar me radhë përfaqësitë e tjera diplomatike në Tiranë. Ambasadorja gjermane e cilësoi vettingun si një “humbje kohe të panevojshme, që heq vëmendjen nga vettingu i vërtetë, që është në drejtësi”.

Ambasadorja e Gjermanise ne Tirane, Susanne Schutz ne intervisten dhene per DW

“Debati lidhur me vettingun e politikanëve kam frikë se është një konsumim kohe dhe energjie, që mund ta largojë vëmendjen nga vettingu i gjyqësorit, që është vërtet thelbi i reformës në gjyqësor. Pa një vetting të suksesshëm të gjyqësorit nuk mund të ketë një sistem gjyqësor të reformuar për të hetuar politikanët”, deklaroi ambasadorja Susanne Schutz në një intervistë për DW.

Britania e Madhe nga ana tjetër e vlerëson interesante nismën, por të hedhur në një moment të papërshtatshëm.

“Unë mendoj se është një propozim interesant, por në të njëjtën kohë duhet të shikojmë zhvillimet me vetingun në këto momente. Unë mendoj se vetingu në politikë është një ide interesante, por kemi të bëjmë me faktorin kohë mbi të gjitha. Miksimeve të vetingut që po ndodhin t’i shtosh edhe një veting të ri, atë në politikë?! Në këto momente Shqipëria nuk ka nevojë”, deklaroi ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman në një intervistë dhënë për Report TV.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë