Ne rrjet

Vetëvendosje i mbyll derën marrëveshjes, nuk "dorëzon" postin e kryeparlamentarit!

Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës i la Albin Kurtit afat deri në fund të javës për të pranuar kushtet e saj për formimin e qeverisë, kreu i Vetëvendosjes duket i palëkundur në qendrimin e tij.

Pasi LDK-ja bëri publike kërkesën e saj për të marrë postin e kreun e Kuvendit, mediat në Prishtinë kanë raportuar se kryeparlamentari tashmë i zgjedhur nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca pritet të japë sot dorëheqjen.

Por, edhe pse dorëheqja e tij duket të jetë çelësi që mund t’i hapë derën marrëveshjes mes dy partive, kjo nuk do të ndodhë, të paktën jo sipas Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një përgjigje për mediat në Prishtinë, partia fituese e zgjedhjeve të gjashtë tetorit ka njoftuar sot se Konjufca do të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit, duke i mbyllur kështu derën marrëveshjes me LDK-së.

“Nuk është e vërtetë, Konjufca nuk jep dorëheqjen”, kanë thënë shkurt zyrtarët e Vetëvendosjes, duke mohuar lajmet se vetë kreu i Kuvendit do të dorëhiqej, duke iu dorëzuar kështu presionit dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kreu i kësaj partie i dha afat deri të dielën Albin Kurtit që ta pranojë ose refuzojë ofertën e LDK. Pasi mori këtë javë mandatin për kryeministër, Kurti ka tanimë edhe vetëm 11 ditë kohë që të arrijë marrëveshje për koalicionin qeveritar dhe të sigurojë shumicën e nevojshme për formim të qeverisë. Por sinjalet e deritanishme nuk kanë qenë aspak pozitive. Edhe pse thirrjet nga VV-ja për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve kanë qenë të shpeshta, nga selia e LDK-së thonë se nuk ka negociata pa dorëheqjen e kreut të Kuvendit.

LDK-ja e ka bërë të qartë deri më tani se nuk do të tërhiqet nga posti i kreut të Kuvendit, ashtu siç nuk u tërhoq nga kërkesa për postin e presidentit. Në këto kushte, topi duket se është në fushën e Vetëvendosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë