Politike

Vetëvendosje: Dorëheqja e Ramës nuk mjafton! Të shembet sistemi

Qendra në Tiranë e Lëvizjes Vetëvendosje ka komentuar krizën politike dhe përmes një deklaratë është futur në mes të sherrit mazhorancë-opozitë. Në deklaratë, kjo Lëvizje thotë se vetëm dorëheqja e Kryeministrit Rama nuk mjafton për ta nxjerrë vendin nga kriza e gjithanshme.

“Pushteti ka abuzuar me mandatin e dhënë nga qytetarët. Rritjes së varfërisë dhe pabarazisë i është përgjigjur me arrogancë e dhunë. Paaftësinë ka tentuar ta mbulojë me marketing dhe kontroll mediatik, dhe nuk jep më llogari. Kriza në Shqipëri nuk është mes opozitës dhe pozitës, por është një krizë e përgjithshme ekonomike, shoqërore dhe insitucionale”, thuhet në deklaratë.

Vetëvendosje mendon se parlamentarizmi në Shqipëri ka rënë dhe mazhoranca është duke u përpjekur që të krijojë një opozitë formale që e kontrollon vetë. Por, përgjegjësi për këtë situatë nuk i jep vetëm shumicës aktuale.

“Shqiptarët nuk janë të verbër. E kanë të qartë se për këtë gjendje përgjegjësi mban edhe opozita, e cila ka pranuar më herët të ndryshojë edhe sistemin elektoral për të siguruar përjetësinë e dy partive që kanë gati 30 vite që sundojnë Shqipërinë me trajtat e një sistemi neo-feudal. Prandaj është e kuptueshme pse gjatë protestave studentore, studentët i mbajtën larg partitë. Këto parti politike kanë braktisur shumë prej kauzave që kanë mbështetur, dhe nuk e gëzojnë besimin e qytetarëve. Por qytetarët e kanë bërë tashmë të qartë me pjesëmarrjen e tyre nëpër protesta se status quo-ja nuk është më e pranueshme. Kush nuk e sheh këtë kërkesë legjitime të qytetarëve, nuk është duke e ndjerë apo kuptuar momentin kritik në të cilin ndodhet vendi”, vijon deklarata.

Si zgjidhje, VV sheh pikësëpari ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, siç është aktualisht në proporcional kombëtar me lista të hapura.

“Nuk ka asnjë arsye legjitime pse sistemi elektoral në Shqipëri mos të jetë proporcional kombëtar, me lista të hapura, siç është edhe në Kosovë. Në këtë mënyrë qytetarët do të mund t’i zgjidhnin vetë kandidatët brenda listave, si kundërpeshë edhe e mungesës së demokracisë së brendshme në subjektet politike në Shqipëri, ku i pari i Partisë vendos thuajse gjithçka”, propozon VV.

Vetëvendosje thotë se sot vendi nuk qeveriset nga asnjë parti, por nga një grusht politikanësh. Sipas Lëvizjes, PS ka humbur vlerat e së majtës dhe si shembull për t’u ndjekur propozon laburistët e Jeremy Corbyn në Britaninë e Madhe.

“Duhet thënë se Partia Socialiste nuk është në pushtet, pasi vendi drejtohet nga një klikë politikanësh e tajkunësh që numërohen në gishta të dorës. Kjo linjë shkon në drejtimin e kundërt me zhvillimet në partitë socialdemokrate në Europë. Mjafton të japim shembullin e Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka hequr dorë nga slogane si “përtej të majtës e të djathtës”, që përsëritnin udhëheqësit e saj të mëhershëm dhe tashmë është rikthyer te socialdemokracia përmes luftës kundër pabarazisë për shumicën dhe jo për privilegje për pakicën. Me programin politik të ngritur mbi drejtësinë sociale, ajo ka rritur dukshëm edhe përkrahjen nga qytetarët”, thotë deklarata.

Vetëvendosje deklaron se politika deri më tani, për të ruajtur pushtetin ka përçarë qytetarët duke tentuar edhe diskriminimin mbi bazën e prejardhjes.

“Duke treguar një mendësi qeverisëse krejtësisht pronvicialiste dhe klanore në drejtimin e vendit. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Shqiptarët meritojnë udhëheqje dhe programe përparimtare ekonomike dhe politike. Le të nisë ndryshimi me një akt emancipues si dorëheqja”, mbyllet deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë