Politike

Vetëm një kompani në garë për votimin elektronik, KQZ informon partitë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u është drejtuar partive politike kryesore në vend përmes një letre duke u shpjeguar të gjithë procedurën dhe hapat e ndjekura prej këtij institucioni për realizimin e identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e 25 prillit, sipas përcaktimeve të marrëveshjes së 5 qershorit.

KQZ thotë se ngriti një grup pune që u dërgoi ftesë për pjesëmarrje dhe përllogaritjen e kostos për tenderin për pajisjet teknologjike të identifikimit të votuesve 20 kompanive që kanë si objekt kontrata të ngjashme në fushën e zgjedhjeve.

“Nga këto kompani, 8 prej tyre iu përgjigjën kërkesës së KQZ-së në lidhje me përllogaritjen e kostos financiare të projektit”, thotë KQZ.

Por, nga tetë kompani gjashtë kanë vazhduar për në fazën tjetër, pasi dy nuk kishin plotësuar kriteret ligjore, duke mos u regjistruar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik. Për rrjedhojë, vetëm këto 6 kompani morën ftesën për pjesëmarrje në procedurën prokuruese për të dorëzuar ofertë deri në afatin e fundit të vendosur më 5 janar.

Por, nga gjashtë kompani vetëm kompania “Smartmatic” ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar nga KQZ.

“KQZ është në fazën e vlerësimit të ofertës ekonomike dhe zgjidhjes teknike që ka ofruar operatori ekonomik “Smartmatic”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura

Më Shumë