Futboll

Vetëm 4 minuta në fushë, Bekim Balaj ndëshkohet me karton të kuq

Sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj, ishte sot protagonist negativ për skuadrën e tij Shturm Grac. Futbollisti shkodran ka parë para syve kartonin e kuq vetëm 4 minuta pasi ishte futur në fushë si zëvendësues në ndeshjen me Rapidin e Vjenës, shumë e rëndësishme për kreun e kampionatit austriak.

Balaj u aktivizua në minutën e 66-të të ndeshjes, kur rezultati ishte 3-1 në favor të Rapidit dhe trajneri i Shturmit shtoi forcat dhe centimetrat në sulm, në kërkim të barazimit. Por në minutën e 70-të sulmuesi kuqezi u ndëshkua me të kuq, pasi gjyqtari pa një goditje me bërryl të tij ndaj kundërshtarit. Shturmi pësoi më pas edhe golin e 4-t, duke humbur një mundësi të mirë për të marrë vendin e parë, që tashmë mbahet nga Rapidi.

Balaj, kur ndëshkohej me karton të kuq sezonin e kaluar. Gazeta Si, 22 janar 2021

Nuk është hera e parë që Balaj ndëshkohet me të kuq, edhe pse luan në sulm. Ai ka marrë të kuq edhe sezonin e shkuar, por këtë herë ndëshkimi erdhi vetëm pas 4 minutash aktivizim dhe me siguri futbollisti shqiptar do të marrë edhe ndonjë dënim tjetër nga komisioni i disiplinës për gjestin antisportiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë