Futboll

Vetëgjyqësi alla shqiptarçe në Itali, babai i Shpendit hyn në fushë dhe godet portierin

Gazeta Si – Babai i lojtarit shqiptar të Çezenës hyri nga tribuna në fushë sapo mbaroi ndeshja ndaj Olbias. Ai goditi me grusht portierin kundërshtar për shkak të një faulli të rëndë ndaj të birit. Agresori u ndalua nga lojtarët dhe drejtuesit e Çezenës.

Skena absurde pas ndeshjes Çezena-Olbia 1-0, me protagonist negativ babain e Kristian Spendit, sulmuesit shqiptar të ekipit vendës. Ai u fut në fushë dhe sulmoi fizikisht portierin e ekipit mik, Filipo Rinaldi. Shpendi vrapoi drejt qendrës së fushës, ku disa lojtarë e drejtues po flisnin mes tyre.

Ai e goditi portierin Rinaldi në fytyrë, por grushti nuk e zuri plotësisht me gjithë forcën e tij. Babai i futbollistit shqiptar u ndalua nga mesfushori i Çezenës, Rikardo Kiarelo dhe disa të tjerë.

Tërbimi i babait të Shpendit vinte nga një faull i portierit Rinaldi, i cili i dha një goditje të birit gjatë lojës, duke e detyruar të linte fushën pas një plage që mori. Një vetëgjyqësi alla shqiptarçe, që në Itali ka marrë vëmendje të madhe.

Tani pritet raporti i arbitrit për këtë ngjarje, më pas verdikti i komisioneve disiplinore, por me siguri Çezena rrezikon gjobë, ose ndeshje pa tifozë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë