Kosova

Veriu i Kosovës voton për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Interesimi minimal. Lista Serbe thirrje për bojkot

Nga Gazeta 'Si' - Në katër komunat veriore të Kosovës po mbahet referendumi për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë.

Qendrat e votimit në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan janë hapur pa vonesa të mëdha në orën 07:00 të mëngjesin dhe do të mbyllen në 19:00.

Procesi po mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës. “Procesi i votimit ... është i qetë dhe nuk është vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit”, tha DnV që po përcjell votimin nga afër përmes ekipeve mobile.

Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 e qytetarëve. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.

Në orën e parë pas hapjes së vendvotimeve në Mitrovicë të Veriut askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës. Në qendrat e votimit u panë vetëm vëzhguesit zgjedhorë, por jo edhe qytetarë që votonin.

Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Në qendrën e votimit, që gjendet në ndërtesën e komunës, sipas gazetarëve të Kosovës, mëngjesin e së dielës askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.

Në katër komunat në veri janë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

Pse po mbahen votimet?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022 në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në maj 2023, kur këta kryetarë – përjashtuar Atiçin – shkuan në zyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.

Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë