Kosova

Dështojnë zgjedhjet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës: Pjesëmarrje e papërfillshme

Nga Gazeta 'Si' - Të gjitha qendrat e votimit në katër komunat në veri të Kosovës, u mbyllën të dielën në orën 19:00.

Votimi, që u organizua për t’u mundësuar serbëve, shumicë në atë pjesë të vendit, shkarkimin e kryetarëve aktualë, do t’i lë ata në detyrë deri në fund të mandatit. Zgjedhjet e 21 prillit dështuan sa i përket pjesëmarrjes në votime.

Që votimi të ishte i suksesshëm duhet që të votonin, minimalisht, 50% + 1 e qytetarëve. Nëse përmbushej ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore do mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se gjithsej kanë votuar 253 persona.

Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë