Futboll

Verdikti i parë i kampionatit italian, Interi dhe Juventusi do diskutojnë titullin!

Gazeta Si – Interi dhe Juventusi kanë krijuar tashmë një shkëputje nga të tjerët dhe pas rifillimit të kampionatit do të sfidohen mes tyre për të përcaktuar liderin.

Pa shkuar ende te gjysma e nëntorit, Seria A ka dhënë verdiktin e parë: do të jenë Interi dhe Juventusi dy skuadrat që do të diskutojnë titullin. Rezultatet e javës së 12-të flasin për fitore vetëm të tyre nga grupin i pretendentëve. Interi dhe Juventusi kanë marrë 3 pikët, kurse Milani që mban vendin e 3-të, është 8 pikë larg nga ‘Zonja e vjetër’. Napoli shumë më keq.

Shumë ulje-ngritje për ata që duan të rivalizojnë Interin dhe Juventusin, që kanë vazhdimësi në rezultate. Skuadra e Asllanit është favorite e madhe për titullin. Duke u bazuar te grupi i lojtarëve, loja, soliditeti mental dhe uria e bëjnë të qartë objektivin për yllin e dytë.

Një tjetër vend i dytë nuk do të pritej aspak mirë në shtëpinë zikaltër. Interi e ka bërë tashmë kapërcimin në cilësi dhe në të gjitha pikëpamjet. Finalja e Championsit të fundit ka treguar edhe pjekurinë e kësaj skuadre, ndërsa impenjimi në më shumë se një front mund të sjellë ndonjë pikëpyetje.

Në anën tjetër është Juventusi i Alegrit, që nuk ka opsesionin e yllit. Mungesa në kompeticionet europiane konsiderohet si avantazhi i madh i bardhezinjve në garën e titullit dhe që nuk mund të nënvlerësohet.

Më pak lodhje fizike për një grup jo aq të madh sa Interi, më shumë mundësi për të punuar me qetësi për detajet gjatë javës. Juventusi po e ndërton fatin e tij te mbrojtja, duke besuar tek aftësitë e individëve të veçantë kur bëhet fjalë për të shkuar te goli. Mjafton për renditjen, edhe pse jo për të fituar me autoritet dhe mbi të gjitha për t’i bindur të gjithë.

Përshtypja është se do të jenë vendimtare dy përballjet direkt mes këtyre dy skuadrave. E para luhet në Torino, të dielën e 26 nëntorit. Nuk do të jetë vetëm ‘derbi i Italisë’, por edhe një barometër për titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë