Presidenti Ilir Meta reagoi pas publikimit të raportit final të Venecias mbi argumentin e dhënë mbi ligjshmërinë ose jo të kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Me anë të një deklarate, Meta theksonte se si asnjëherë tjetër Venecia ka realizuar ndryshime thelbësore të raportit në krahasim me atë paraprak. Ai nxjerr pesë konkluzione për raportin e publikuar, duke theksuar edhe një herë se sipas tij, nuk ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve.
“Presidenti i Republikës vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës. Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak. Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se: Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stabilitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore”, janë 5 konkluzionet e Presidentit.
Në këtë deklaratë thekson se “Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.