Futboll

Vendimtare për Italinë, mjafton një pikë me Ukrainën për të shkuar në Euro 2024

Gazeta Si – Në Leverkusen, ku luhet ndeshja e sotme, ‘axurrët’ kanë dy rezultate në dispozicion për t’u kualifikuar dhe për të mbrojtur trofeun e fituar në vitin 2021.

Pasi kaloi tabunë e Maqedonisë së Veriut, Italia e Spaletit është vetëm një hap larg Euro 2024, ku ka mundësinë të mbrojë trofeun e fituar në 2021-shin me Mançinin në stol. Në Leverkusen ndaj Ukrainës bën punë edhe një pikë. Pra, Italia nuk duhet të humbasë për të lënë përfundimisht pas krahëve pjesëmarrjen e munguar në Botërorin 2022 të Katarit, që ende djeg.

Italia ka edhe numrat në krahun e saj: 7 fitore dhe 2 barazime në 9 ndeshje, e fundit 2-1 në ‘San Siro’ më 12 shtator, pak më shumë se 2 muaj më parë.

Barazimi do ta çonte skuadrën e Spaletit në Gjermani, ndërsa fitorja ndaj Ukrainës do t’i dhuronte Italisë fashën e tretë në shortin e Hamburgut më 2 dhjetor, pra një grup pak më të lehtë. Me barazimin me siguri ‘axurrët’ do të jenë në fashën e 4-t, me kundërshtarë më të fortë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë