Politike

Vendimi për vizat me Shqipërinë në duart e populistëve?

Vendimi i Parlamentit holandez për të kërkuar pezullimin e udhëtimit pa viza me Shqipërinë, nuk ka mbërritur ende në Komisionin Europian.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e KE-së Maja Kocijançiç në reagimin e parë të komisionit për këtë çështje. Edhe pse në pamje të parë fakti që kërkesa e Amsterdamit nuk ka mbërritur ende në Bruksel duket se ky një çlirimin për vendin tonë, aj mund të ketë implikime serioze nëse lihet për shqyrtim nga Komisioni i ri Europian që pritet të zgjidhet pas zgjedhjeve të majit.

E pyetur nëse votimi i Holandës ka ndryshuar qëndrimin e Komisionit, Kocijançiç deklaroi se pozita e KE-së mbetet e njëjtë.

"Komisioni është i vetëdijshëm për mocionin e miratuar në Parlamentin holandez, por ekziston një procedurë specifike që është në fuqi për mekanizmin e pezullimit të vizave dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar", deklaroi ajo.

Kocijançiç shtoi se nëse Komisioni do të marrë një njoftim të tillë, do ta analizojë me kujdes, dhe do të përcaktojë nëse rikthimi i vizave me Shqipërinë është i nevojshëm.

Pothuajse nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për vendin tonë, parlamenti holandez votoi më 16 prill për rikthimin e tyre, pas arrestimit të 64 anëtarëve të një rrjeti të krimit të organizuar shqiptar në katër shtete anëtare të BE, përfshirë edhe Holandën.

Ishte pikërisht lufta kundër grupeve kriminale të trafikut të lëndëve narkotike që shtyu me një vit hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe nëse vende skeptike si Holanda dhe Franca shohin se nuk është bërë përparim në këtë drejtim, negociatat rrezikojnë të shtyhen sërish edhe këtë qershor.

Edhe pse qeveria shqiptare është e sigurt se propozimi nuk do të marrë “bekimin” e Komisionit Europian, klima brenda BE-se pritet të jetë shumë më agresive pas zgjedhjeve të parlamentit europian në maj. Më shumë se sa nga mendimi i Komisionit apo vendeve të tjera anëtare, rikthimi i vizave me Shqipërinë duket se do të varet nga koha kur kjo kërkese do të arrijë në “duart” e Brukselit.

Ekspertë të ndryshëm parashikojnë rritjen e forcave populiste dhe partive anti-emigracionit gjatë këtyre zgjedhjeve. Situata bëhet më e ndërlikuar nëse marrin parasysh faktin se Zëvendëskryeministri italian ka mbledhur të gjitha partitë populiste anembanë Europës në Milano për të formuar një aleancë të re, përfshirë edhe AfD-në në Gjermani dhe partinë e Marine le Pen në Francë, Fronti Kombëtar.

E përbashkëta e këtyre lëvizjeve është politika kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve. Duke marrë parasysh faktin se shqiptarët janë mes grupeve që kanë aplikuar më së shumti për azil në Francë dhe Gjermani, as Fronti Kombëtar dhe as AfD-ja nuk do të mendoheshin dy herë përpara se të votonin pro rikthimit të vizave me Shqipërinë.

Vetë Le Pen shkruante në Facebook në qershorin e kalaur se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përpiqen të thyejnë me forcë murin e vendosur nga vendet anëtare të BE-së, të cilat sipas saj janë njerëzi kundër zgjerimit.

Salvini nga ana e tij ka sinjalizuar me kohë antipatinë e tij ndaj emigrantëve shqiptarë. Së fundmi ai ka shpërndarë në rrjetet sociale lajmim e therjes më thika të një shqiptari dhe tre nigerianëve ndërsa një muaj më parë shkruante për dëbimin e një të dënuari shqiptar.

Kjo nuk është hera e parë dhe me gjasë as e fundit që Matteo Salvini shkruan kundër emigrantëve shqiptarë apo vetë Shqipërisë në rrjetet sociale. Antipatia e tij ndaj shqiptarëve duket se i ka fillesat shumë më herët, kur ishte ende kryetari i Lega Nord dhe kur partia e tij kërkonte shkëputjen e Italisë së Veriut.

Kur një kamion i policisë së burgut u sulmua nga një bandë në Varese për të bërë të mundur arratisjen e një të burgosuri me burgim të përjetshëm, Salvini shkroi një status mjaft racist në Facebook, duke deklaruar se “kriminelët bastardë shqiptarë po zbrazni burgjet”, duke mos pritur konfirmimin për identitetin e të arratisurit. Ai madje shkruante me shkronja kapitale se ai ishte shqiptar, me synim për të për të nxitur diskutimet anti-shqiptare në rrjetet sociale.

Për të kuptuar vendimin e tij përpara një kërkese zyrtare për rikthimin e vizave me Shqipërinë, mjaftojmë të lexojmë deklaratat e tij në qershor të 2014-ës, kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE. Në një postim në Facebook ai paralajmëronte se nëse vendi ynë hynte në BE, Italia do të dilte nga unioni.

Lëvizjet populiste europiane në Milano

“Shqipëria është shteti i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, pavarësisht historisë, ekonomisë, së kaluarës dhe së ardhmes së saj”, shkruante Salvini. “Jo supermarketit europian! A bëjmë një shkëmbim, ata hynë ne dalim … si thoni”, shkruante asokohe zëvendëskryeministri.

Duke parë qëndrimin e këtyre partive është pak të thuash se nëse votimi për rikthimin e vizave mbahet pas zgjedhjeve europaine, qeveria shqiptare mund të gjejë veten në probleme edhe më të mëdha nga se e mendonte.

Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të BE-së në vitin 2013 në mënyrë që të sigurojë mundësinë e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë ndaj një vendi jo anëtar të BE-së për një periudhë të shkurtër kohore.
Sipas procedurës, Amsterdami duhet të dërgojë një njoftim në Bruksel duke shpjeguar qartë deklaruar arsyet se përse kërkon rikthimin e vizave me Shqipërinë. Qeveria holandeze nnga ana e saj ka thënë se nuk do të bëjë ndonjë lobim të veçantë për këtë çështje.

Pasi Komisioni Europian të jetë njoftuar nga Holanda, do të shqyrtojë kërkesën duke ia paraqitur më pas vlerësimet e tij Parlamentit dhe Këshillit Europian.

Nëse Komisioni vendos të ndërmarrë masa specifike ndaj Shqipërisë, mund të miratojë një akt zbatues brenda një muaji pas paraqitjes së rezultateve të shqyrtimit të tij në Parlament dhe Këshill. Nëse do të miratohej nga shumica e vendeve të Këshillit Europian, Komisioni do të rikthejë përkohësisht vizat për Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë