Politike

Vizat me Holandën, PD-LSI sulmojnë qeverinë

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka referuar vendimit të fundit të parlamentit të Holandës ditën e sotme, për vendosjen e vizave për Shqipërinë u bën thirrje shqiptarëve që të ngrihen kundër qeverisë Rama për ta rrëzuar, pasi ai po u rikthen vizat.

"Çdo ditë vetëm lajme të këqija për shqiptarët, dhuratë e një qeverie dhe një kryeministri që jo vetëm po shkatërron të ardhmen, por po na kthen mbrapa në kohët më të errëta. Nuk ka kaluar shumë kohë, por për fat të keq ne jemi njerëz që memorien e kemi të shkurtër…2010-2019, - thotë Paloka. - Nuk ka nevojë të tregoni mirënjohje as për Berishën e as për Bashën që bënë të mundur liberalizimin e vizave, por të paktën ngrihuni për vete e mos lejoni që për shkak të një kryeministri monstër, të rikthehemi në ditët e zeza kur trajtoheshim si qytetarë të dorës së fundit nga Evropa", - shkruan Paloka.

Ndërkohë, edhe ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka reaguar pas vendimit të Parlamentit Holandez, për rikthimin e vizave me Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, Gjoshaj u shpreh se kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme që prek shqiptarët dhe procesin e integrimit të vendit.

Gjoshaj i ka bërë më tej thirrje ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, Ministrit të Brendshëm, Sandërl Lleshaj dhe Kryeminsitrit që të zgjidhin këtë situatë.

“I bëj thirrje Ministrit të Jashtëm, të komanduar në mënyrë antikushtetuese të mos merret më me targat dhe pasaportat diplomatike, por në mënyrë urgjente të kërkojë dialog me palën holandeze për të frenuar këtë fenomen, që mund të marrë përmasa të papërshkrueshme në debatin e ardhshëm të Këshillit, pra të vendeve anëtare. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm të ndalë menjëherë arrestimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre, dhe të merret seriozisht me të gjitha instancat që ai drejton, për të luftuar krimin e organizuar që nuk ka destabilizuar tashmë jo vetëm Shqipërinë, por është prezent përtej kufijve tanë”.

Ajo e cilësoi një vendim të paprecendtë, “të cilin e kam paralajmëruar shumë kohë më parë, që pas konkluzioneve të Këshillit në Qershorin e kaluar, po vendos në rrezik një të drejtë të qytetarëve tanë, të fituar 10 vjet më parë për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen”.

Gjosha tha se tashmë ka marrë fund edhe vendimi për çeljen e negociatave të Shqipërisë  në muajin qershor. “Nuk është opozita ajo që mban peng këtë proces historik të vendit tonë, por është krimi i organizuar, korrupsioni në nivele të larta, numri alarmant i azilkërkuesve që kanë pushtuar kufinjtë europianë, shkelja që i është bërë marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në mungesën e transparencës dhe konkurrencës në tendera, keqqeverisja dhe kapja e shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë