Ne rrjet

Vendimi i fundit/ Kush hyn në SHBA nga 6 dhjetori duhet të pajiset me test negativ i vlefshëm vetëm një ditë

Autoritetet amerikane do të kërkojnë nga të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë, që arrijnë në SHBA me aeroplanë, të kenë test negativ  të vlefshëm vetëm brenda një dite.

Këto rregulla janë pjesë e fushatës së re kundër COVID-19, të cilat janë prezantuar më 2 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden, teksa varianti Omicron kërcënon ringjalljen e pandemisë.

Vendosja e maskës do të jetë e detyrueshme në aeroplanë, trena dhe autobusë, deri në mars të vitit të ardhshëm.

Autoritetet shtetërore kanë thënë se personat e infektuar kanë raportuar vetëm simptoma të lehta.

Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), kanë thënë se duhet të merren masa të shënjestruara për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron në Shtetet e Bashkuara.

Sipas masave aktuale, udhëtarët ndërkombëtarë që janë të vaksinuar plotësisht, kanë mundur të tregojnë testin negativ, të vlefshëm për tri ditë.

Për personat e pavaksinuar, testi negativ ka qenë i detyrueshëm dhe ka vlejtur vetëm një ditë.

Mirëpo nga 6 dhjetori, CDC ka thënë se “të gjithë udhëtarët, pavarësisht shtetësisë apo statusit të vaksinimit, do të duhet të kenë test negativ antiCOVID, i cili do të jetë i vlefshëm vetëm një ditë”.

Ky vendim që do të vlejë për të gjithë udhëtarët, amerikanë dhe të huaj.

Ky vendim nuk vlen për udhëtarët që hyjnë në SHBA përmes rrugëve tokësore nga Kanadaja dhe Meksika.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 29 nëntor se do të ndalojë hyrjen e të gjithë udhëtarëve nga shtetet e Afrikës, për shkak të shqetësimeve të lidhura me variantin Omicron.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë