Njerez

Vendi i parë në botë / Pse Franca po ndalon prindërit të shpërndajnë foto të fëmijëve në rrjetet sociale

Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar një legjislacion, i cili mund t'i ndalojë prindërit të postojnë fotot e fëmijëve të tyre në rrjetet sociale.

Edhe pse prindërit do jenë përgjegjës për të drejtat e imazhit të fëmijëve të tyre, ligji u jep të drejtën gjyqtarëve t’i urdhërojnë ata të ndalojnë së ndari fotografi të fëmijëve të tyre në internet.

Ky propozim u paraqit nga deputeti Bruno Studer, i cili tha se synon t’u mësojë fëmijëve se prindërit e tyre nuk kanë një kontroll absolut mbi imazhin e tyre.

Asambleja Kombëtare e Francës e miratoi masën me votim unanim. Një i ri 13-vjeçar ka mesatarisht 1300 fotografi të tij që qarkullojnë nëpër internet, sipas Studer. Këto imazhe mund të shfrytëzohen për pornografi për fëmijë ose të shkaktojnë bullizëm në shkollë.

Fëmijët, në bazë të moshës dhe nivelit të pjekurisë, do lejohen të përfshihen në vendimin për postimin e imazheve, me gjykatat që do munden të ndalojnë postimin nëse njëri prej prindërve kundërshton.

Nëse publikimi i fotove të tilla vlerësohet se "prek seriozisht dinjitetin ose integritetin moral të fëmijës", prindërit mund të humbasin kontrollin mbi këto të drejta.

Nëse gjykohet se është e tepruar ose e dëmshme, një gjyqtar, në rastet më ekstreme mund t’i heqë edhe të drejtën prindërit për t’i bërë apo shkëmbyer fotografi të fëmijës.

Ky ligj synon të mbajë prindërit përgjegjës për të drejtat e privatësisë së fëmijëve të tyre, të cilët nuk janë në gjendje të japin miratimin e tyre për postimin e fotografive në internet. Gjithashtu synon të ndëshkojë prindërit të cilët publikojnë foto të fëmijëve të tyre për të tërhequr ndjekës dhe për të fituar para.

Psikologët dhe specialistët e mediave sociale e kanë parë si një hap pozitiv këtë ligj të ri. Anja Stevic, studiuese në Universitetin e Vjenës, mendon se është kritik për të mbrojtur të miturit që nuk mund të flasin kundër fotografive që prindërit e tyre postojnë në internet.

Shpërndarja në internet e fotografive të fëmijëve mund të jetë e rrezikshme, por mund të jetë gjithashtu e sigurt nëse bëhet siç duhet. Stevic këshillon prindërit që të kufizojnë ndarjen e fotografive tek të afërmit dhe miqtë e afërt dhe të ndryshojnë cilësimet e tyre në “private”. Ajo thotë se gjithashtu prindërit mund të shpërndajnë fotot e fëmijëve të tyre nga mbrapa, pa zbuluar fytyrën apo trupin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë