Ekonomi

Vendet në zhvillim nuk po paguajnë dot kreditë, BB thirrje G20: Të rishikohen borxhet e dhëna

Fillimisht pandemia dhe tani rritja e fortë e çmimeve të gazit dhe karburanteve po godet aftësinë shlyese të kredive të vendeve të varfra dhe atyre në zhvillim. Alarmi është ngritur nga Banka Botërore, që u kërkon vendeve të zhvilluara dhe kredidhënëset kryesore që të ristrukturojnë huatë me këto vende.

Presidenti i BB, David Malpass u bëri thirrje udhëheqësve të G20 ditën e shtunë që të përshpejtojnë punën në ristrukturimin e borxhit të dhënë për vendet me të ardhura të ulta, të ngrijnë pjesërisht pagesat, përfshirë këtu edhe përfshirjen e huadhënësve privatë.

Malpass u tha udhëheqësve të G20 në samitin e Romës se procesi i ristrukturimit të borxheve për vendet me të ardhura të ulta ka ngecur dhe kërkoi përpjekje urgjente që ai të rifillojë pa vonesa.

Udhëheqësit e G20 u zotuan që të përshpejtojnë punën për të miratuar një rregullore të përbashkët për trajtimin e huave problematike dhe theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së sektorit privat në këtë drejtim. Por, siç thotë Reuters, nuk pati dakordësi që kjo çështje të përfshihet në komunikatën e përbashkët në fund të samitit.

Disa kreditorë të mëdhenj, përfshirë këtu Kina, që është huadhënësja më e madhe në botë me një total rreth 65 për qind të shumave të ofruara përmes marrëveshjeve dypalëshe me vende të tjera, kanë kundërshtuar idenë e ngrirjes së pagesave për shërbimet e kreditimit.

BB kërkon që ngrirja e këtyre pagesave të përfshihet në një rregullore të përbashkët mes vendeve huadhënëse. Malpass e mbrojti këtë propozim duke thënë se vendet e varfra dhe ato në zhvillim po hasin vështirësi në rimëkëmbjen ekonomike për shkak të Covid, inflacionit në rritje, energjisë dhe çrregullimeve të zinxhirit të furnizimeve.

“Këto probleme të shumëfishta po shkaktojnë një efekt shkatërrues prapakthehu te këto ekonomi”, theksoi Malpass para udhëheqësve të G20, duke u shpreh se propozimi i tij gëzon mbështetjen edhe të drejtueses së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë