Mjedis

Vendet në rrezik po gjejnë mënyra për të shpëtuar nga përmbytjet. Çfarë mund të bëjnë shtetet?

Ndryshimi i klimës mund të detyrojë miliarda njerëz të lëvizin nga shtëpitë e tyre deri në fund të shekullit për shkak të përmbytjeve dhe rritjes së nivelit të detit. Disa komunitete tashmë po përshtaten përmes tërheqjes së menaxhuar dhe zhvendosjes së njerëzve në zona të tjera.

Me rritjen e nivelit të detit dhe përmbytjet katastrofike që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, disa komunitete kanë filluar të marrin në konsideratë një mënyrë për të “kundërshtuar” efektet e ndryshimeve klimatike: tërheqjen e menaxhuar.

Kjo mund të përfshijë lëvizjen nga qytetet e mëdha. Në Sidnei, Australi, shiu i fundit i rrëmbyeshëm ekstrem ka bërë që digat të vërshojnë dhe lumenjtë të thyejnë brigjet e tyre, duke detyruar më shumë se 30,000 banorë të evakuohen. Zonat në veri dhe në jug të qytetit u përmbytën me 1.5 metra shi në 24 orë, që është afër mesatares së reshjeve për një vit në zonat bregdetare.

Pasi Sidnei u përmbyt gjithashtu në prill, kryeministri i shtetit pranoi se moti i tillë ekstrem "po bëhej më i zakonshëm" dhe do të ishte e nevojshme t'i "përgjigjemi mjedisit në ndryshim".

Çfarë është një tërheqje e menaxhuar nga përmbytjet?

Tërheqja e menaxhuar nënkupton zhvendosjen e përhershme të njerëzve dhe ndërtesave larg zonave të cenueshme, qoftë në mënyrë parandaluese ose, siç ndodh më shpesh, pas një fatkeqësie. Kështu ndodhi në New Orleans, që kur Uragani Katrina shkatërroi qytetin e ulët në grykëderdhjen e lumit Misisipi në 2005.

"Ndryshimet klimatike po prekin njerëzit në të gjithë botën dhe të gjithë po përpiqen të kuptojnë se çfarë të bëjnë për të", thotë Ar Siders, studiues në Universitetin e Delaware.

Në Neë Orleans, disa projekte rindërtimi u kanë ofruar familjeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme mundësinë për t'u zhvendosur në shtëpi të reja në tokë më të lartë, siç kanë bërë skemat e blerjes në shtetin përreth të Luizianës. Programe të ngjashme janë vendosur në mbarë vendin: Që nga viti 2017, Programi i Granteve për Zbutjen e Rrezikut i drejtuar nga agjencia e menaxhimit të fatkeqësive FEMA kishte blerë më shumë se 43,000 shtëpi në zonat e rrezikuara nga përmbytjet në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe territoret e saj jashtë vendit.

Por nuk është gjithmonë kaq e thjeshtë: procesi mund të komplikohet nga burokracia e qeverisë dhe të përfundojë duke përkeqësuar pabarazitë sociale ndërsa komunitetet e krijuara prej kohësh janë zhvendosur.

"Tërheqja e menaxhuar nuk është një opsion i lehtë por është një opsion i nevojshëm”, thotë Miyuki Hino nga Universiteti i Stanfordit.

"Ka vështirësi sociale dhe psikologjike për njerëzit që lëvizin nga shtëpitë e tyre, veçanërisht nëse kjo përfshin humbjen e trashëgimisë kulturore ose zhvendosjen e një familje nga tokat e tyre stërgjyshore".

Kiribati, një arkipelag me 33 ishuj në Paqësorin qendror pak mbi nivelin e detit, është ndër vendet e para në botë që kërcënohet nga rritja e oqeanit. Disa nga ishujt e tij tashmë janë të pabanueshëm.

Me Panelin Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike që parashikon një rritje mesatare globale të nivelit të detit midis 15 dhe 30 centimetra deri në vitin 2050, Kiribati po i mbaron opsionet. Në vitin 2014, qeveria bleu tokë në Fixhi në mënyrë që qytetarët e saj të mund të zhvendoseshin, megjithëse qeveria njoftoi së fundmi planet për ta përdorur atë tokë për bujqësi për të ndihmuar në ushqimin e popullit të saj, në bashkëpunim me Kinën. Po ashtu është duke punuar me Australinë dhe Zelandën e Re për të zhvilluar programe që do t'u japin njerëzve aftësitë e nevojshme për të gjetur punë, nëse ata detyrohen të migrojnë.

Rikthimi në natyrë i zonave të banuara

Të mësosh të jetosh me ndryshimet klimatike mund të nënkuptojë gjithashtu shembjen e strukturave ekzistuese dhe përdorimin e tokës për të mirën më të madhe. Në shtetin amerikan të Nju Xhersit, qeveria ka blerë rezidenca private në zonat që konsiderohen të prekshme ndaj stuhive ose përmbytjeve të lidhura me ndryshimet klimatike. Po e kthen atë tokë në zona rekreative dhe konservuese që, siç thotë Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit të shtetit, "do të shërbejnë si mbrojtës natyrorë kundër stuhive dhe përmbytjeve të ardhshme".

Programi vullnetar Blue Acres, i nisur për herë të parë në vitet 1990, u zgjerua pasi Superstuhia Sandy shkatërroi zonën në vitin 2012. Programi që atëherë ka shkatërruar më shumë se 700 shtëpi në fushat e përmbytjeve të lumenjve Delaëare, Passaic dhe Raritan dhe degëve të tyre.

Njerëzit që jetojnë afër detit nuk janë gjithmonë të gatshëm të lënë tokën e tyre të rikuperohet nga dallgët pushtuese. "Të lejosh që uji të afrohet është një koncept i frikshëm për qenien njerëzore", thotë Hans-Ulrich Rösner, ekspert mjedisi.

Në grykëderdhjen Humber në Anglinë lindore u bënë gjithashtu ndryshime. Një përpjekje nga Agjencia e Mjedisit në Mbretërinë e Bashkuar për të menaxhuar përmbytjet përgjatë bashkimit të dy lumenjve, pa rreth 1000 hektarë tokë bujqësore të transformuar në një zonë depozitimi përmbytjesh duke hequr qëllimisht një pjesë të një argjinature ekzistuese në 2006.

Fusha e përmbytjes ishte një nga më të mëdhatë e krijuara në Europë në atë kohë. Ka reduktuar rrezikun e përmbytjeve nga ujërat e grykëderdhjes së baticës për rreth 600 prona dhe ka pakësuar nevojën për mbrojtje nga përmbytjet në rrjedhën e sipërme. Habitati i ri ligatinor ka tërhequr gjithashtu një shumëllojshmëri zogjsh, insektesh he peshqish. Nuk është aspak unike pasi qasja është prezantuar me sukses edhe në vende të tilla si Holanda, India dhe Tajlanda.

Në atë që është një nga shembujt më ekstremë të tërheqjes së menaxhuar, Indonezia po planifikon të zhvendosë kryeqytetin e saj nga metropoli i mbipopulluar në një vend të ri rreth 2,000 kilometra larg.

Pjesë të Xhakartës, një qytet bregdetar ku jetojnë më shumë se 10 milionë njerëz, po zvogëlohen me një normë deri në 20 centimetra në vit, të shkaktuar pjesërisht nga mbinxjerrja e ujërave nëntokësore. Pjesa më e madhe e Xhakartës së Veriut mund të zhytet deri në vitin 2050 për shkak të rritjes së nivelit të detit dhe përmbytjeve të rregullta. Por, edhe nëse qeveria gjen një shtëpi të re për familjet, miliona persona që jetojnë në lagjet e varfra me shumë gjasa do të duhet të kujdesen për veten e tyre pasi nuk mund të zhvendosen të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë