Vende dhe Udhetime

Vendet më të mira dhe më të këqija për punën në distancë

Vendi i punës është bërë më fleksibël se kurrë. Shumë njerëz tashmë punojnë nga shtëpia, apo janë nomadë digjitalë.

Me afrimin e sezonit të pushimeve të verës, mund të mendoni të ‘zhvendosni’ zyrën jashtë vendit. Por, zgjedhja se ku të shkosh, mund të jetë e ndërlikuar.

Studimi i ri nga Culture Trip, ka hedhur një vështrim në destinacionet kryesore në mbarë botën, për të përcaktuar vendin më të mirë për të pushuar, ndërkohë që punoni.

Pesë kritere thelbësore të punës në distancë u vlerësuan, si shpejtësia e internetit, rezultati i sigurisë kibernetike dhe kostoja e një filxhani kafe.

Studimi shqyrtoi gjithashtu pesë kritere për gjërat, që ju nevojiten gjatë pushimeve, si akomodimi dhe atraksionet turistike.

Pra, në 60 qytete të ndryshme anembanë botës, cilat u renditën më të mirat për punën në distancë?

Destinacionet më të mira të Europës për pushime dhe punë në distancë

Porto në Portugali u shpall qyteti më i mirë. Qyteti është i dyti për nga shpejtësia e internetit dhe ka kushte të qëndrueshme të sigurisë kibernetike. Këta faktorë e bëjnë atë të përshtatshëm për punën në distancë.

Përveç kësaj, qyteti ka shumë hapësira të gjelbëra dhe një përzgjedhje të gjerë akomodimesh Airbnb – më shumë se 4.000 si dhe 11 atraksione të ndryshme të vlerësuara me pesë yje.

Qytetet spanjolle dominuan renditjen. Valencia dhe Barcelona zunë vendin e dytë dhe të tretë dhe Madridi vendin e 10-të.

Valencia doli mirë në të gjitha kategoritë me siguri kibernetike dhe rezultate të larta të shpejtësisë së internetit. Gjithashtu ka 2701 orë diell në vit, që do të thotë se mund të merrni disa rreze, kur nuk jeni duke punuar.

Barcelona gjithashtu renditet lart, për shkak të 6.576 orëve me diell në vit, hapësirave të shumta të gjelbra dhe atraksioneve, duke përfshirë veprat e famshme të artit të Gaudi.

Më pas në listë renditet Lyon. Ky qytet francez shënoi shumë mirë për sigurinë kibernetike, por ajo që dallon nga të tjerët, është kostoja e ulët e kafesë dhe transportit publik.

Në top 10 janë Lisbona, Napoli, Marseja, Parisi, Milano dhe Madridi.

Destinacionet më të këqija për pushime dhe punë në distancë

Disa destinacione mbetën pas qyteteve europiane, për shkak të shpejtësisë së ngadaltë të internetit.

Tre qytete në Pakistan, Lahore, Karaçi dhe Faisalabad u renditën në tre vendet e fundit për shpejtësinë e internetit. Vendi kishte gjithashtu rezultatin më të ulët të sigurisë kibernetike, nga të gjithë të përfshirët në listë.

Destinacionet e tjera, duke përfshirë ato në SHBA, renditen në nivele të ulëta, për shkak të kostos relativisht të lartë të jetesës.

Nju Jorku, Çikago dhe Los Anxhelos, ishin veçanërisht të shtrenjta. LA u rendit në krye të listës për kostot e akomodimit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë