Financa Personale

Vendet ku gratë kanë më shumë numra llogarie në banka se burrat

Janë gjashtë vende në botë ku gratë kanë më shumë numra llogarie nëpër banka se sa burrat - Argjentina, Gjeorgjia, Indonezia, Laos, Mongolia, dhe Filipinet.

Të dhënat i referon raporti më i fundit Botëror Findex i Bankës Botërore. Raporti ka patur për qëllim të kuptojë se si të rriturit në më shumë se 140 vende të botës kanë akses në llogari, si bëjnë pagesat, si kursejnë, si marrin hua dhe si menaxhojnë riskun. Më shumë se 500 milion të rritur ose 69%  e tyre,  nga 51% në 2011 – kanë një "numër llogarie në bankë".

Por gratë, sipas raportit, vazhdojnë të mbeten prapa burrave: 65% e tyre kanë një llogari në krahasim me 72% të meshkujve, një hendek prej shtatë përqindësh që ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2011.

Kjo është pavarësisht nga tkurrja e hendekut gjinor në shumë vende. Në Indi, për shembull, 83% e burrave dhe 77% e grave kanë një llogari bankare - hendeku gjinor në Indi ka rënë në 6 pikë përqindje nga 20 në 2014.

Pra, si është e mundur që këto gjashtë vende të ndryshme; në Evropë, Amerikën e Jugut dhe Azi, pengojnë trendin gjinor? Leora Klapper, ekonomiste kryesore në Bankën Botërore, jep disa arsye.

Në rastin e Filipineve, Dr Klapper më tha, gratë punojnë më tepër jashtë vendit të tyre dhe kanë llogari bankare, në këtë mënyrë ato mund të dërgojnë para dhe të administrojnë financat e familjes kur të kthehen në shtëpi.

Në të gjashtë vendet  (me përjashtim të Laos) gratë kanë më shumë mundësi se meshkujt të marrin një pagesë në formën e transfertave bankare si pjesë e një programi qeveritar. Në Mongoli, për shembull, 43% e grave raportojnë se marrin një pagesë të tillë, krahasuar me 24% të meshkujve.

Në Indonezi, nuk ka ndonjë hendek të konsiderueshëm gjinor përsa i përket llogarive "aktive" ose ato llogari që janë përdorur të paktën një herë  vitin e kaluar për të bërë një depozitë apo tërheqje.

Me fjalë të tjera, gratë mund të kenë më shumë mundësi që në një moment të marrin një pagesë nga një program qeveritar në llogarinë e tyre, por pas përfundimit të pagesave, ato ndalojnë përdorimin e llogarisë së tyre për qëllime të tjera.

Por ka një kleçkë. Me përjashtim të Filipineve, nuk ka vend ku gratë kanë më shumë gjasa që meshkujt të kenë llogari "aktive".

India, për shembull, ka arritur të zvogëlojë hendekun gjinor në hapjen e llogarive, por më shumë se gjysma e llogarive që i përkasin grave janë të fjetura.

"Pra, sfida e vështirë në Indi është dizajnimi i produkteve financiare që gratë do të përdorin", thotë Dr Klapper.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë