Dosje

Vëllezërit Beqiraj rrëfejnë masakrën e gabuar në ‘Don Bosko’! Polici i burgjeve: Nuk kam porositur vrasje

Gazeta Si - Vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj kanë rrëfyer se janë porositur për të vrarë Geron Hasanbelliun dhe nipërit e tij në Tiranë dhe jo Erjon Çelën, i cili u ekzekutua në 4 janar gabimisht, pasi autorët ngatërruan objektiv.

Gjatë dëshmisë së tyre në prokurori, Beqirajt treguan se një i njohuri i tyre, Kevin Zeneli i ofroi një punë, të porositur nga Kasandër Noga nga Belgjika për të vrarë hasmin e tij prej dekadash.

LEXO EDHE:
Erjon Çela u vra gabimisht në ‘Don Bosko’, vrasja u porosit nga Kasandër Noga. Roli i dy vëllezërve Beqiraj

Atyre i ishte treguar fotografia e Geron Hasanbelliut (vëllai i Erjon Hasanbelliut, i plagosur në Bruksel nga Noga), i cili duhej të vëzhgohej dhe eliminohej nga vëllezërit Beqiraj së bashku me Kevin Zenelin.

Vëllezërit deklaruan se dy ditë para Vitit të Ri u dorëzuan, pasi nuk po e gjenin objektivin dhe sipas tyre atentatin e mori përsipër vetë Kevin Zeneli.

Ata u tërhoqën, sepse objektivi ishte shumë i vështirë për ta dhe 6 ditë më vonë Kevin Zeneli vendosi ta kryente vetë vrasjen me mjetet që ata kishin siguruar. 

“Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do na jepte një punë që e kishte porositur Kasander Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut. Duhet ta gjenim ta vëzhgonim dhe eliminonim. E gjetëm në Don Bosko, prandaj morëm dhe shtëpi me qira aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin dhjetor 2021. Dy ditë para vitit të ri u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot sepse është objektiv i vështire. Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ja dhamë Kevinit. Me pas më 4 janar ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne”, - thuhet në dëshminë e tyre në dosjen e prokurorisë.

Polici i burgjeve mohon akuzat

Efektivi i burgjeve Flamur Bejko, i cili dyshohet se porositi vëllezërit Beqiraj për vrasjen e dy personave të tjerë, ka mohuar akuzën para hetuesve.

Sipas deklarimeve të tij, dy vëllezërve ua ka dhënë borxh shumën prej 3.500 eurosh me argumentin se Beqirajt do të bënin disa dokumente në Greqi.

Nga ana tjetër, burime e policisë pohojnë Bejko dhe dy objektivët e atentatit kishin konflikt me njëri-tjetrin.

Sipas burimeve paraprake, mësohet e polici iu kishte dhënë dy të dënuarve lëndë narkotike në burg, por ata nuk e kishin paguar. Pas konfliktit fizik që përfundoi me rrahjen e tij, dyshohet që polici të ketë vendosur të hakmerret duke porositur vrasjen e tyre. Vëllezërit treguan se vrasja e tyre ishte parashikuar të bëhej me eksploziv.

Sa i përket ushtarakut Altin Çelami, edhe ai i arrestuar një ditë më parë, mësohet se nuk ka pasur një rol aktiv në grupin kriminal, por u siguronte atyre armë ose magazinonte armët që kishin përdorur.

Vëllezërit kërkojnë statusin e të penduarit

Ndërkohë, dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj kanë kërkuar statusin e të penduarit, duke zbardhur të gjitha krimet e grupit të strukturuar kriminal ku ata bënin pjesë.

Ata kanë shprehur vullnetit për të bashkëpunuar duke treguar për një sërë krimesh dhe kanë kërkuar që tu garantohet jeta e tyre dhe familjarëve të tyre.

Arresrtimi i dy vëllezërve Indrit e Gentian Beqiraj u pasua më 4 tetor 2022 me dhjetra të prangosur në Durrës dhe Tiranë në kuadër të operacionit "Porositësi" ka zbardhur një seri atentatesh të porositura nga Kasandër Noga, i cili është i arrestuar në Belgjikë.

Ai nëpërmjet Kevin Zenelit rekrutonte vrasës kundrejt shumave të mëdha. Një prej këtyre atentateve ishte vrasja gabimisht e Erion Çelës në rrugën "Don Bosko" në janar të këtij viti, ndërkohë që objektivi i vërtetë ishte Geron Hasanbelliu.

Kush janë të arrestuarit e operacionit ‘Porositësi’?

Gentjan Beqiraj

Indrit Beqiraj

Flamur Bejko

Pellumb Hoxha

Idajet Hoxha

Armand Dalipi (Daka)

Fatjon Myrta

Blerim Elezi

Gentian Sheshi

Kujtim Deliallisi

Albano Hajdari

Fatjon Hajdari

Armando Lama

Altin Celami


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë