Futboll

Vëllai i Marvin Çunit firmos për Dinamon, vjen nga Gjermania në Superiore

Gazeta Si – Merkatoja e dimrit është shumë më e vështirë se ajo e verës, alternativat janë të pakta dhe shpesh edhe ‘baste’ për klubet shqiptare. Një i tillë duket edhe rasti i Dinamos me Kilian Çunin, vëllanë e sulmuesit të Kombëtares, Marvin Çuni.

Ai vjen nga Gjermania, por nga kategoritë e ulëta dhe konkretisht nga ekipi Eintraht Karlsfeld. Luan në mbrojtje, ndryshe nga vëllai i tij që luan në sulm. Kilian Çuni ka firmosur një kontratë për 18 muaj me Dinamon dhe është prezantuar te klubi kryeqytetas.

Edhe pse eksperiencën e deritanishme ky lojtar e ka pasur në futbollin inferior gjerman, te Dinamo i besojnë punës profesionale që në Gjermani bëhet edhe në nivele të tilla. Tani është në dorën e 24-vjeçarit që të bindë stafin e Dinamos dhe të fitojë vendin në formacion.

Dinamo është një nga klubet më aktive në merkaton e janarit. Afrimi i Çunit është i katërti për kryeqytetasit, të cilët më parë kanë firmosur me Jorgo Meksin, Mori Bamban dhe Stivian Jankun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë