Lajme

Veliaj: Me Ramën për një mandat të dytë, fitojmë edhe te Astiri


Në sheshin “Nënë Tereza”, Partia Socialiste do të shpallë si kandidaturë zyrtare për kryetar të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, duke synuar që të marrë një mandat të dytë në drejtimin e institucionit të rëndësishëm, atë të metropolit shqiptar.
Pas dy orë Kongresi të PS-së, delegatët do të dalin nga salla e Pallatit të Kongresit në shesh për të shpallur kandidaturën e socialistëve për bashkinë e Tiranës, si dhe listën e 100 këshilltarëve. Veliaj duke folur sot për “News 24” ka zbuluar se në këtë event do të shpallen edhe 100 kandidatët e listës për këshillin bashkiak të Tiranës. Ndonëse këshilli bashkiak ka 61 anëtarë gjithsej, PS-ja ka menduar që të fusë 100 emrat në listën shumemërore për të krijuar idenë e përfshirjes së sa më shumë emrave. Gjithashtu ai bëri të ditur se një pjesë e anëtarëve aktualë të PS-së do të jenë sërish në listën e re për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Kemi vendosur që ditën e nesërme, që është fiks 100 ditë përpara sesa të mbahen zgjedhjet, ne të kemi edhe 100 kandidatë për Tiranën, për disa arsye. Së pari, nëse marrin apo s’marrin pjesë disa nga partitë politike, ne duhet të përgatitemi sikur do ta popullonim të gjithë listën e 61 kandidatëve. Por ka dhe diçka më shumë. Lista e Tiranës gjithmonë ka prodhuar talente edhe për skenën kombëtare. Fjala vjen në zgjedhjet e fundit, këshilltarët më të dalluar të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kaluan u bënë deputetë, disa të tjerë morën detyra të tjera të rëndësishme, dhe u desh të linin mandatin e këshillit. Do të rikandidojnë në pozicione të ndryshme, ata që tashmë kanë qenë dhe janë sprovuar në Këshillin Bashkiak, por ndërkohë do të shtohen po aq të rinj. Njerëz me shumë personalitet nga fusha të ndryshme, që edhe në eventualitetin që disa parti nuk i përfaqësojnë votuesit e tyre, do sigurohemi që ka përfaqësues të kategorive të ndryshme të Tiranës, profesioneve të ndryshme apo prejardhjeve të ndryshme, që çdo qytetar të ndihet i përfaqësuar, pavarësisht ngjyrave të partive, të paktën ngjyrat e profesionit, të vendbanimit, edhe të gjithë avokatisë komunitare”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku foli edhe për situatën te zona e “Astirit”, ku tha se Unaza e Madhe do të ndërtohet, ndërsa parashikoi se socialistët do të fitojnë edhe aty.
“Partia Socialiste do të jetë fituese edhe në qendër të Astirit. Tahmaja e 40 vetave që përdoren politikisht është një bullizëm kundër qytetit. Unaza do bëhet dhe Tirana do vazhdojë do ecë përpara. Dhe unë jam i bindur që do të fitojmë edhe te Astiri”, tha Veliaj.
“Tirana që duam” është aktiviteti i PS-së në sheshin “Nënë Tereza” ku do të shpallen emrat e kandidatë për anëtar të Këshillit Bashkiak. Për këtë PS-ja ka urdhëruar drejtuesit e strukturave lokale që të jenë prezent sa më shumë njerëz, bashkë me familjarët e tyre. Të gjithë të ftuarit në Kongres, delegatët, por edhe shumë anëtarë e simpatizantë mësohet se do të jenë të pranishëm të shtunën.
“Ne kemi ftuar të gjithë qytetarët e Tiranës, jo vetëm ata që janë anëtarë të PS, ka shumë demokratë që në njëfarë mënyre e thonë troç, ia kanë parë hairin mënyrës se si ka punuar bashkia, ju është rritur vlera e pronës, ka pasur zhvillime në komunitet. Dhe unë besoj që tek bashkia, tek menaxhimi i qytetit, njerëzit janë më pak të politizuar. Shohin më shumë te çerdhja, kopshti, shkolla, këndi i lodrave, pastrimi, sesa stemat e partisë. Kështu që mezi pres që nesër të takoj dhe shumë miq të mitë, demokratë, që thonë Tirana është në drejtimin e duhur. Mirë, keq, mund të mos jetë partia jonë, por gjërat po ecin për mirë. Edhe ne do të kemi këtë seancë aty, nga ora 11:00 deri nga ora 13:00, pastaj për t’u rikthyer në Pallatin e Kongreseve për disa sesione”, theksoi Veliaj.
Ky aktivitet është ideuar si një antimiting ndaj protestës së opozitës, e cila po kërkon zgjedhje të parakohshme dhe rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, duke krijuar një qeveri tranzitore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë