Vende dhe Udhetime

Veç tarifës, turistët në Venecia do të përballen me një tjetër masë

Turistët do të shohin tani e tutje se aksesi i Venecias është më i komplikuar nëse nuk rezervojnë online vizitën e tyre përpara se të udhëtojnë për në qytetin më të famshëm italian. Është pjesë e masave të njoftuara nga kryebashkiaku Luigi Brugnaro kundër turizmit masiv.

Brugnaro tha se turistët do të inkurajohen të bëjnë rezervime online në internet nga 2020.

Gjithashtu turistëve që do të vizitojnë Venecian do t’u kërkohet të paguajnë një tarifë prej 3 eurosh nga 1 maji i këtij viti, që do të rritet deri në 10 euro në vitin 2020 në varësi të sezonit. Por këto masa janë kritikuar nga ministri i Turizmit, Gian Marco Centinaio.

"Kjo është një masë e padobishme dhe e dëmshme. A duam të bëhemi një vend turistik?" shkroi në Twiter Centinaio

Brugnaro e mbrojti masën e re si "mënyra e vetme për të numëruar njerëzit që vizitojnë Venecian" dhe tha se "askujt nuk do t'i mohohet shërbimi, por do të jetë më e komplikuar për ata që nuk e bëjnë rezervimin online".

"Qëllimi është ta bëjë qytetin më të gjallë" për banorët dhe të "zvogëlojë shpenzimet e jashtëzakonshme" të shkaktuara nga qyteti nga turizmi masiv, si mbledhja e mbeturinave dhe mirëmbajtja e trashëgimisë së qytetit.

Njerëzit që punojnë ose studiojnë në qytet, por jetojnë jashtë tij, do të përjashtohen nga tarifa, ashtu si edhe ata që vizitojnë për qëllime mjekësore ose administrative. Pritet të përjashtohen nga tarifa edhe njerëzit që vizitojnë familjet që banojnë në qytet.

Rreth 55,000 njerëz jetojnë në lagunën e famshme të qytetit dhe rreth 20 milionë turistë vizitojnë çdo vit këtë vend.

Këshilli Botëror i Turizmit vlerëson se turizmi gjeneroi 3 miliardë euro në të ardhura në 2016, duke përbërë rreth 12% të ekonomisë lokale.

Por Venecia ka pasur një reagim të fuqishëm kundër turizmit masiv gjatë viteve të fundit, ndërsa banorët ankohen se dyqanet lokale po dëbohen nga dyqanet e suvenireve dhe se ekosistemi po shkatërrohet.

Disa nga masat që u konsideruan më parë, por që më në fund u refuzuan, përfshinin ndalimin e anijeve turistike në zona të caktuara, si dhe një sistem biletash për qendrën historike.

Gjithashtu ka nisur edhe fushata #EnjoyRespectVenezia, duke u bërë thirrje turistëve të bëjnë më shumë kujdes kur vizitojnë Venecian.

Turistët kanë dënuar gjithashtu disa nga çmimet në kafenetë dhe restorantet, ku një turist paguan deri në 43 euro gjatë gushtit për dy ekspres dhe dy shishe ujë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë