Lajme

Vdekja e punëtorit në Golem, vihet në pranga përfaqësuesi i firmës

Pas aksidentit tragjik në punë, që i mori jetën 40-vjeçarit Dashamir Hyka, në Golem, policia ka arrestuar përfaqësuesin e firmës që kryente punimet si dhe ka shpallur në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike.
Policia njofton se është vënë në pranga M. K., 37 vjeç, banues në Durrës.
37-vjeçari, me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem ka shkelur rregullat e mbrojtjes në punë, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punëtori D. H. (i cili ra nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital) nuk ka qenë i siguruar dhe nuk ka pasur kontratë pune me firmën.
Gjithashtu është shpallur në kërkim administratori I. K. dhe drejtuesja teknike E. S., pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë