Politike

Vetëvrasje apo vrasje mafioze? Vdekja e gardistit, PD akuzon Ramën. Kryeministri: Fantazi makabre!

Nga takimet në kuadër të “Llogaridhënies publike”, Kryeministri Edi Rama komentoi vdekjen e gardistit Shkëlzen Qordja. Pasi shprehu ngushëllimet për familjen u ndal tek akuzat e opozitës.

“U shpreh ngushëllime familjarëve që nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë së tyre, sepse përfshirja e tij në skenarë fantazie makabre për të goditur ministrin e Brendshëm dhe Qeverinë, vërtet që nuk ka fjalë për t’u komentuar”, deklaroi Kryeministri në një takim në Korçë.

Akuzat e Partisë Demokratike i quan të neveritshme dhe rrjedhojë e gjithë qëndrimit të saj gjatë muajve para marrjes së datës për hapjen e negociatave.

“Është shembull i një vështirësie të jashtëzakonshme, edhe artificiale në të cilën gjendet hapësira e debatit politik, që karakterizoi të gjithë procesin për të marrë datën për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian”, vioi ai.

Por, Partia Demokratike u qëndron akuzave të saj, madje i përforcoi akuzat me kreun e Grupit Parlamentar, Edmond Spaho.

Edmon Spaho në konferencën për shtyp pas deklaratës së Kryeministrit Rama

"Ngjarja tragjike me shoferin e Ministrit të Brendshëm është vrasje mafioze, nuk është skenar fantazie, siç do ta shesë kryeprokurori Edi Rama. Këto 5 vjet në pushtet Edi Rama ka mohuar çdo skandal që implikon atë dhe qeverinë e tij në krim! Edi Rama quajti skenar fantazie edhe transportin e droges me avionë. Ai tha se kriminelet në Parlament dhe bashki ishin skenarë makabër të opozitës. Kanabizimin e vendit Edi Rama e quajti njësoj si sot, skenar fantazie makabër. Përfshirjen e Saimir Tahirit me Audin e tij AA 003 GB në trafikun ndërkombëtar të drogës bashkë me Habilajt, Edi Rama e cilësoi skenar kriminal të opozitës. Edi Rama mohoi për 5 vjet dënimin e Agron Xhafës, vëllait të Ministrit të Brendshëm, për trafik ndërkombëtar droge. Tani, po mohon, me të njëjtat fjali, përfshirjen e Taulant Ballës, në pastrimin e parave të drogës me çështjen e 3.4 milionë eurove, të kapura në Toyota Yaris vetëm pasi u denoncuam nga opozita”, thotë Spaho.

Kryeministrin e akuzon gjithashtu se ka marrë rolin e Prokurorit në këtë çështje, në përpjekje për të fshehur, sipas tij, vrasjen mafioze.

“Edhe për faktin se, për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba”, mbyll deklaratën e tij, Edmond Spaho.

Më herët, vetë ministri i Brendshëm u shpreh i tronditur për vdekjen e gardistit. Ai nuk komentoi rrethanat e ngjarjes dhe thotë se për këtë po punojnë prokurorët. Por, akuzave të kundërshtarëve politikë iu përgjigj.

“Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vëllezërve, të afermve e miqve të tij”, u shpreh ai.

Shoferi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është gjetur i pajetë mëngjesin e së shtunës brenda ambienteve të Gardës së Republikës. I ndjeri Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, që prej disa vitesh punonte pranë Gardës së Republikës dhe së fundmi ishte në timonin e makinës së ministrit Fatmir Xhafaj.

Familjarët e të ndjerit mohojnë që i riu të ketë shfaqur shqetësime apo shenja depresioni. Edhe nga Garda e Ministria e Brendshme nuk ka patur masa administrative, apo disiplinore ndaj shoferit të ministrit të Brendshëm, duke errësuar edhe më tepër motivet e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë