Gazeta Si – “Babai ynë vdiq para syve tanë, pa bërë askush asgjë për ta ndihmuar”. Këto fjalë të dhimbshme përfundojnë padinë e ngritur nga familja e Gjergji Lalës, 78 vjeç, aktorit të njohur shqiptar në Tiranë dhe Itali, kundër Poliklinikës Umberto I në Romë, ku i moshuari ndërroi jetë më 16 qershor.
Prokuroria ka hapur tani një hetim për vrasje të paqëllimshme për vdekjen e 78-vjeçarit, i cili shkoi në Itali për të kërkuar fatin e tij dekada më parë.
Seritë televizive
Sipas mediave italiane, ende nuk ka të dyshuar. Përpara se të vazhdojë me ndonjë akuzë të mundshme, Zyra e Prokurorit synon të lexojë së pari gjetjet e autopsisë.
Kjo, edhe sepse kur ai mbërriti në Poliklinikën romane, gjendja shëndetësore e aktorit – i cili është shfaqur në disa seriale televizive si “Don Matteo”, “La Squadra”, “Gli orologi del diavolo”, “Romulus” dhe në filma të suksesshëm, duke përfshirë “House of Gucci”, “Gangs of New York” dhe “Il papà buono” me Ricky Tognazzi – dukej shumë komplekse, megjithëse jo aq serioze (sipas familjes së tij), sa të sugjeronte se situata mund të përshkallëzohej në mënyrë tragjike.
Femuri i thyer
Vështirësia e Lalës filloi më 14 maj, kur djemtë e tij, Renato dhe Kladio, e çuan atë në urgjencën e Spitalit Frosinone për një ndërlikim në veshka.
Aktori – familja e të cilit ndihmohet nga avokati Carlo Maria Consalvo – i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale që i shpëtoi jetën për një tumor në veshka disa javë më parë.
Ekipi mjekësor i spitalit vendosi ta transferonte Lalën në Poliklinikën Umberto I. Situata kërkonte masa të përshtatshme duke pasur parasysh ashpërsinë e rastit. Spitali Umberto I vendosi ta pranonte Lalën me status të kodit të kuq.
Gjatë qëndrimit të tij në spital, u zbuluan disa ndërlikime. Ndër më të dukshmet, ishte një frakturë e femurit (kocka e kofshës, e cila është kocka më e gjatë dhe më e fortë në trupin e njeriut).
Mënyra se si e pësoi Lala këtë frkaturë është një mister. Një gjë e tillë, kishte ndodhur më parë, apo në spital?
Dhimbja nga lëndimi me siguri po i shkaktonte vuajtje. Që nga ai moment, gjendja fizike e aktorit shqiptar u përkeqësua me shpejtësi. Zyra e prokurorit tani po heton shkakun e vdekjes së tij.
Karriera në Shqipëri
Publiku shqiptar e njeh Lalën për kontributin e tij në skenë dhe karrierën e vlerësuar në artin e interpretimit.
Ai luajti shumë role në teatër dhe kinematografi, por më i përmenduri është roli i Mihal Gramenos në filmin “Liri a Vdekje”.
Në kinema ka rreth 10 filma ku ka marrë pjesë si aktor kryesor dhe në role dytësore. Prej vitesh jetonte në Itali ku është aktivizuar në filma dhe telefilma të ndryshëm. Gjergji Lala ka lindur më 6 dhjetor të vitit 1947 në Lushnjë.
Filmografia e Gjergj Lalës:
–Tokë e përgjakur (1976)
-Nusja dhe shtetërrethimi (1978)
-Liri a Vdekje (1979)
-Gjurmë në kaltërsi(1981)
-Në prag të lirisë, (1981)
-Shtëpia jonë e përbashkët, (1982)
-Një emër midis njerëzve (1983)
-Lumi që nuk shteron (1989)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje