Lajme

Vdekja e 25-vjeçares në Elbasan, arrestohen dy mjekë të spitalit

Pak orë pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Deborva pasi kishte lindur fëmijën e saj, në maternitetin e qytetit të Elbasanit, dy nga trupa e bluzave të bardha kanë përfunduar në pranga.

Mësohet se janë arrestuar, mjeku kardiolog Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thano, ndërsa më herët Debrova humbi jetën pas lindjes së fëmijës së saj të parë.

Për këtë humbje tragjike, familjarët fajësuan bluzat e bardha, të cilët sipas tyre nuk kanë ofruar shërbim në kohë. Sipas familjarëve mjeku kardiolog ka mbërritur një orë me vonesë, ndërsa nëna e re ndërroi jetë.

Ata gjithashtu thanë për mediat se 25-vjeçarja i kryente analizat rregullisht, ndërsa gjatë gjithë shtatzënisë nuk ka pasur asnjë problem.

Ndërkohë mësohet se pasi ka pësuar arrest kardiak, mjekët gjinekologë kanë kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë për të ndërhyrë në mënyrë që të mbahej në jetë 25-vjeçarja.

Ajo kishte vetëm 10 muaj e martuar dhe ishte bërë nënë e një vajze, të cilët për fat të keq nuk arriti dot ta njihte.

Spitali i Elbasanit nuk ka reaguar për rastin, pasi pret procedurat standarde në këto raste. Për të zbardhur shkakun e vdekjes së të resë priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë