Lajme

Vdekja e 25-vjeçares, ‘detyrim paraqitje’ për dy mjekët

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën “detyrim paraqitje” për dy mjekët që u arrestuan pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova pas lindjes.
E ndërsa brenda gjykatës së Elbasanit po zhvillohej seanca gjyqësore për masën e sigurisë, familjarët e së ndjerës kanë protestuar para dyerve të Gjykatës, ku edhe kërkonin drejtësi. Në protestë ata kanë marrë edhe foshnjën e porsalindur.
Mjekët që u arrestuan janë kardiologu Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thano.
Nëna e re 25-vjeçare ndërroi jetë më 22 prill në Maternitetin e Elbasanit vetëm një orë pas lindjes.
Për këtë humbje tragjike, familjarët menjëherë fajësuan bluzat e bardha, të cilët sipas tyre nuk kanë ofruar shërbim në kohë. Sipas familjarëve, mjeku kardiolog ka mbërritur një orë me vonesë, ndërsa nëna e re ndërroi jetë.
Ndërkohë, pasi ka pësuar arrest kardiak, mjekët gjinekologë kanë kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë për të ndërhyrë në mënyrë që të mbahej në jetë 25-vjeçarja.
Në reagimin e parë qendra spitalore e Elbasanit tha se Rexhina Debrova pësoi një komplikacion të rëndë, të ashtuquajtur infarkt mushkërie.
Ndërkohë priten edhe rezultatet e autopsisë për shkakun zyrtar të vdekjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë