Para

Bien fort kursimet: 14 mld lekë më pak në banka gjatë marsit

Marsi solli tjetër rënie të fortë të kursimeve në banka. Stoku i depozitave është ulur me 14.3 mld lekë nga muaji shkurt në muajin mars, me 1.1% rënie.

Vlera totale e depozitave në banka për të njëjtin muaj, raportohet, 1.26 trilion lekë nga 1.28 trilion në shkurt. Kjo është rënia e dytë më e madhe e depozitave në tre vite, pas asaj që ndodhi një muaj më parë. Në shkurt 2023,  depozitat u ulën me 15 mld lekë, 1.2% nga janari.

Depozitat në lekë janë ulur vetëm me rreth 1 mld, ndërsa ato në valutë me mbi 10 mld, nga muaji në muaj. Ky mund të jetë rezultat i zhvlerësimit të fortë të euros dhe dollarit gjatë kësaj kohe në Shqipëri.

Gjithsesi në raport vjetor, stoku i depozitave në mars 2023 është zgjeruar me 3.4% nga vlera në mars 2022.

Në Europë po ndodh e njëjta sjellje. Depozituesit europianë kanë tërhequr nga bankat 214 mld euro vetëm në 5 muajt e fundit, një nivel rekord.

Rënia në depozitat e bankave në Europë nisi disa muaj pasi Banka Qendrore rriti normat e interesit dhe kjo është një kthesë totale nga fenomeni i kyçjes së parave të shumta në banka, që ndodhi gjatë pandemisë.

Tërheqjet e fundit tregojnë se bankat e kanë pasur të vështirë të marrin dhe mbajnë depozitues edhe para se të ndodhte kaosi financiar, që falimentoi tre banka në SHBA dhe Europë.

Viti 2023 në vend nisi me vlerën më të lartë të stokut të depozitave në vend, duke arritur shifrën e 1.3 trilion lekëve në fund të muajit janar, e cila qartazi nuk zgjati.

Gjatë vitit 2022, stoku i depozitave nuk ka qenë i qëndrueshëm, pasi nga muaji në muaj, ndryshonte tendenca nga rritja në rënie ose e anasjella. Në muajt paraardhës, u vu re dhe një tendencë për të rritur depozitat në lekë, duke kaluar ato në valutë, por që mesa duket nuk zgjati shumë, edhe pse më norma të rritura interesi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë