Politike

Vasili: Procesi i vaksinimit në vend nuk ekziston

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, tha përmes një deklarimi për mediat se situata e përhapjes së Covid-19 në vend është serioze dhe se shteti nuk ka marrë asnjë masë në këtë drejtim.

“...Procesi i ashtuquajtur i vaksinimit nuk ekziston. Pra, vaksinimi në Shqipëri nuk ekziston, nuk bëhet, ky është fakt.

Trasta e vaksinave, me 900 e ca të tilla, e cila ka mbi dy javë që vjen vërdallë, siç e dini ka degraduar tërësisht si proces, pasi as nuk ka doza vaksinash të reja.

Priteshin që sipas premtimeve zhurmëmëdha të Kryeministrit shqiptar se do të vinin në fillimin e javës së tretë, pra që më 15 janar, dhe asnjë lajm dhe asgjë tjetër nuk ka”, tha Vasili.

Sipas tij, shqiptarët po trajtohen në shtëpi.

“Qindra e mijëra të sëmurë, pasi shifra e të sëmurëve realë është shumë më e lartë se sa kjo që ekzaminohet, vetë trajtohen nëpër banesa, pa kujdes shëndetësor, pa mbështetje financiare dhe shqiptarët po robtohen e po shkatërrohen ekonomikisht e po futen në borxhe për të përballuar kurimin tepër të kushtueshëm nga COVID-19”, thotë ai.

Vasili komentoi edhe deklaratën e nënkryetarit të ISHP, sipas të cilit, në vend po qarkullon një virus i ri.

“Për më tepër zyrtarë të kësaj qeverie kanë dalë dhe flasin për një lloj të ri koronavirusi, një shtamë të ri. Por çfarë shteti është ky? Si ka mundësi që një zyrtar çfarëdo flet për një gjë kaq të rëndë e kaq të madhe, kur në Shqipëri ka një të ashtuquajtur Komitet Ekspertësh, i cili duhet të analizonte nga pikëpamja epidemiologjike edhe virologjike gjithë të dhënat, të nxirrte konkluzionet e pastaj titullari i shëndetësisë, ministrja përkatëse, të dilte e të komunikonte me publikun, sepse ky komunikim ka të bëjë me një përgjegjësi shumë të rëndë publike dhe kombëtare. Nuk është një fjalë e hedhur në erë apo për të krijuar alibinë, apo justifikimin e radhës për ç’ organizimin total që ka kapur procesin e pandemisë, që në ditën e parë të shfaqjes së saj”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë