Para

Valutat arrijnë tjetër minimum historik. Leku forcohet me 1 pikë kundrejt euro-dollarit

Nga Gazeta ‘SI’ - E hëna e 17 korrikut ka zhvlerësuar akoma më shumë monedhat e huaja kundër lekut. Dollari ka arritur një minimum të ri, duke u këmbyer me 91.03 lekë. Euro po ashtu, këmbehet me 102.36 lekë. Paundi britanik ka pësuar rënien më të madhe nga e premtja, kundrejt monedhës shqiptare, duke u këmbyer me 119.12 lekë. Leku është forcuar me 1 pikë ndaj tre monedhave kryesore botërore.

Dy ditë më parë, kreu i departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë tha se ky është tashmë normaliteti i ri i kursit të këmbimit, që sigurisht do të vijojë rënien.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko është përgjigjur me “turizmi, eksportet dhe investimet e huaja” sa herë është pyetur për arsyen e zhvlerësimit masiv të monedhave ndërkombëtare, kryesisht euro-dollar. Kundërshtimi i vazhdueshëm i BSH-së për ndërhyrjen në një treg të lirë si ai i kursit të këmbimit, u zbeh javën e shkuar, kur Sejko i kërkoi bankave tregtare dy të tilla. E para ishte përdorimi i kontratave “forward” dhe e dyta lehtësimi i procesit kreditues, për bizneset eksportuese.

Ndërkohë, qeveria nën përfaqësinë e ministrisë së Financave, ka vendosur të mos u marrë eksportuesve tatim-fitimin deri në dhjetor të këtij viti. Ndonëse kursi është i paparashikueshëm, masa e zgjatur deri në fund të vitit tregon pritshmëritë për ecurinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë