Futboll

Valter Maxarri rikthehet te Napoli pas 10 vitesh, merr drejtimin e kampionëve në fuqi

Gazeta Si – Valter Maxarri nuk kishte nevojë për avokatët e tij në takimin me presidentin e Napolit, De Laurentis. Trajneri ka pranuar të kthehet në krye të kësaj skuadre 10 vjet pas aventurës së tij të parë, kur fitoi Kupën e Italisë në finalen me Juventusin e Antonio Kontes.

Trajneri toskan tha menjëherë ‘Po’ për një kontratë prej pak më shumë se 1 milion eurosh deri në qershor, duke marrë përsipër kështu rolin e 'trajnerit të përkohshëm'. Maxarri duhet të bëjë kthesën e një sezoni me shumë luhatje, pas dominimit të sezonit të kaluar.

Maxarri e gjen napolin në vend të 4-t. Detyra e tij në stolin e kampionëve në fuqi është që të ketë vazhdimësi në rezultate, duke lënë pas ulje-ngritjet me Rudi Garsian.

Trajneri i ri, që parakaloi kroatin Igor Tudor në momentin final, do të drejtojë sot seancën e parë stërvitore, ku do të mungojnë lojtarët e impenjuar me kombëtaret. Përpara është një tur force, me ndeshje të ngjeshura. Më 25 nëntor është ndeshja e kampionatit me Atalantën, pastaj transferta a Madridit në Champions me Realin (29 nëntor), sfida në ‘Maradona’ me Interin (3 dhjetor), Juventusi (8 dhjetor) dhe Sporting Braga (12 dhjetor).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë