Futboll

Valsi i sulmuesve/ Haland drejt Parisit, Mbape më pranë Realit

Erling Braut Haland është sulmuesi më i lakuar në prag të merkatos së verës. Për momentin vëmendja është te mbyllja e kampionateve dhe kompeticioneve europiane, por klubet e mëdha vazhdojnë punën edhe për goditjet e mëdha të verës. Pas Realit, në skenë për Haland ka dalë edhe PSG-ja, duke e çorientuar disi merkaton.

“Marca” në Spanjë shkruan se klubi parisien është futur në garë për norvegjezin, të cilin e sheh si pasuesin e Kilian Mbape. Dhe pikërisht ky fakt e trazon edhe më shumë tregun e sulmuesve. Mbape duket se nuk ka në plan ta rinovojë kontratën me PSG-në dhe shitja e tij është gjithmonë e më e mundshme. Real Madrid është vënë i pari në radhë për francezin, por gjithashtu ka nisur sulmin edhe për Haland, duke synuar një treshe ëndrrash për ofensivën bashkë me Eden Hazard.

Haland, sulmuesi i Borusia Dortmund. Gazeta Si, 20 maj 2020

Por nga lëvizjet e fundit duket i pamundur krijimi i kësaj tresheje te Reali. Për të shitur Mbape, PSG-ja kërkon të sigurojë më parë yllin e ri të Borusia Dortmund. Haland po bën gjërat të jashtëzakonshme në Bundesligë dhe pëlqehet edhe nga klube të tjera të mëdha, por jo të gjithë e kanë potencialin financiar. PSG ka përgatitur një ofertë monstër, çka do të thotë se e ka seriozisht blerjen e norvegjezit, një lëvizje që shtyn Mbape drejt Madridit.

Klubi tjetër i madh spanjoll, Barcelona, vazhdon ndërkohë të ngulë këmbë për argjentinasin e Interit, Lautaro Martinez. Së fundi ka folur edhe trajneri argjentinas, Lionel Skaloni, i cili ka “bekuar” kalimin e sulmuesit te katalanasit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë