Politike

Valë shkarkimesh: Ikin drejtorët e ARRSH, OST e Portit. Priten largime të tjera

Ndryshimet në qeveri po shoqërohen edhe me largime të drejtorëve të lartë. Ministria e Infrastrutkurës dhe Energjisë është institucioni i parë që ka ndërmarrë vendimet për të larguar tre drejtorët e institucioneve që kanë në varësi të saj.

Propozimi i parë ishte kërkesa drejtuar për të larguar nga detyra drejtori i OST-së, Klodian Gradeci. Ai më pas paraqiti dorëheqjen duke u larguar nga ky post. Në letrën e tij të dorëheqjes, Gradeci thoshte se ky vendim vinte për arsye personale. Në vend të tij ministrja Balluku propozoi si Drejtor të OST-së, Skerdi Drenovën .

Ish-drejtori i OST, Klodian Gradeci


Vendimi i dytë i ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku ishte shkarkimi i Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. Në vend të tij është emëruar ish-ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Publike, Sonila Qato. Ish-ministrja fillimisht u përfol se mund të emërohej në Agjencinë e re të Kadastrës.
Qendro ka qenë një nga emrat e përfolur kohët e fundit, pas daljes së skandalit me “DH Albania”. Më 16 janar, Kreu i ARRSH, Afrim Qendro dëshmoi në Prokurorinë e Tiranës për marrjen e tenderit nga kjo firmë me dokumente të falsifikuara.
Firma “DH Albania” rezultoi se kishte fituar tenderin prej 12 mln eurosh për një linjë energjetike. Pas daljes së fakteve, tenderi u anulua nga OST.
Vendimi i tretë ishte ai i largimit të drejtorit të Portit të Durrësit. Me një vendim të ministres Balluku është larguar Afrim Bakaj dhe është emëruar Genti Tare. Mësohet se porti i Durrësit ka qenë së fundi subjekt kontrolli i Departamentit Antikorrupsion. Bakaj u emërua si drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit në shkurt të vitit 2018.

Ish-drejtori i Portit të Durrësit, Afrim Bakaj


Sipas burimeve mësohet se edhe në institucionet e tjera pritet të ketë shkarkime drejtorësh. Këto ndërmerren për shkak të vënies së në lëvizje të institucioneve, si dhe për faktin se ato realizohen pak përpara mbajtjes së zgjedhjeve të reja lokale.
Në lidhje me këto ndryshime të para ka pasur edhe një reagim nga ana e Partisë Demokratike. “Fushata e shkarkimeve të drejtorëve hajdutë të Edi Ramës është treguesi i kalbëzimit nga korrupsioni i kësaj qeverie, e cila nuk është e aftë të bëjë reforma, por do të ndërrojë hajdutët e vjetër me hajdutët e rinj. Një qeveri që ka vullnet të luftojë korrupsionin dhe jo të ndajë me klientët e saj paratë e shqiptarëve do ta çonte sot drejt qelisë së burgut drejtorin e Rrugëve, drejtorin e OST-së, drejtorin e Portit dhe çdokënd tjetër që vjedh. Kjo nuk ka për të ndodhur me vullnetin e Edi Ramës, sepse tenderi i Unazës së Madhe, për të cilin po shkarkohen sot drejtorët e tij, u mbrojt nga vetë Edi Rama”, tha deputetja e PD-së, Dhurata Çupi.

Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi

Sipas saj, Partia Demokratike ka denoncuar që në fillim me fakte se tenderi 40 milionë euro për 2 kilometra është abuziv, korruptiv dhe me fitues të paracaktuar dhe se solli prova se DH Albania, ishtë kompani e dyshimte me lidhje direkte me Damian Gjiknurin dhe Edi Ramën.
“Shkarkimi i shërbëtorëve të oligarkëve, të cilët grabisin shqiptarët me firmën e Edi Ramës, është i pamjaftueshëm, është një përpjekje për të larë duart me vjedhjen e 40 milionë euro. Drejtorët e shkarkuar e kanë vendin në burg! Por drejtësia është e paplotë, nëse do të vazhdojë të mos hetojë Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn dhe Edi Ramën për skandalin e vjedhjes tek Unaza e Re. Tenderi i 20 milionë eurove për 1 kilometër rrugë duhet të anulohet!”, theksoi Çupi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë