Lajme

Valdrin Pjetri i përgjigjet akuzave të PD: Po më bëhet gjyq publik

Kryetari i ri i bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri ende pa e marrë mirë në dorë bashkinë më të madhe në veri është vënë në shënjestër të sulmeve nga Partia Demokratike. Akuzave të PD se ka qenë i ndaluar nga policia italiane apo të jetë dëbuar nga shteti fqinj, Pjetri iu është përgjigjur, duke i mohuar dhe shtoi se është i hapur për çfarëdo lloj kërkese që mund të vijë nga Prokuroria në adresë të tij.

Pjetri hodhi poshtë akuzat e PD, duke thënë se ajo që po ndodh ndaj këto javë më shumë ngjan si një gjyq publik

“Është e vërtetë se gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve nga PD. Kam bërë një reagim timin të nesërmen e këtij lajmi ku kam thënë se jam mëse i hapur për çdo verifikim të mundshëm. Gjëja është zyrtare, shkresa e subjektit partiak është në prokurorinë e përgjithshme dhe prokuroria është i vetmi institucion i ngarkuar nga ligji për të bërë verifikimet. Kjo më shumë ngjan me gjyq publik. Megjithatë dua të them se asgjë dhe askush nuk na ndal të shkojmë drejt bashkisë së Shkodrës dhe të fillojmë punën”, tha ai.

Në fund në daljen e tij për mediet, Pjetri shtoi se nuk është e vërtetë se ai nuk ka udhëtuar drejt Italisë në këto 10 vite dhe kjo gjë mund të verifikohet përmes sistemit TIMS. “Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë. Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë