Analize

Vala e refugjatëve në vjeshtë blindon kufijtë në rajon

Edhe pse autoritetet shqiptare kanë siguruar në mënyrë të përsëritur publikun se situata me emigrantët dhe refugjatët e paligjshëm në vendin tonë nuk është kritike, Mali i Zi ka vendosur të dërgojë ushtrinë në kufijtë e tij me Shqipërinë. Duke u përgagtitur për valën e refugjatëve në vjeshtë, trupat malazeze kanë vendosur të zhvillojnë kontrolle të njëpasnjëshme në të gjithë zonat kufitare me Shqipërinë (në Muriqan dhe Hanin e Hotit).

"Kufiri do të kontrollohet nga policë dhe patrulla ushtrie, kryesisht për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit shtetëror me Shqipërinë, si dhe veprime të tjera të paligjshme në zonën kufitare", tha Ministria malazeze e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp. Ministria gjithashtu tha se trupat do të vendosen në bazë të vendimit të marrë nga Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë, organi më i lartë i sigurisë në Malin e Zi, i cili përfshin kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit dhe kryesohet nga presidenti. Vendimi vjen pasi Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja kanë përballur më një rritje të pashembullt të numrit të refugjatëve dhe emigrantëve që tentojnë të shkojnë në veri të Kroacisë dhe Sllovenisë.  Nga janari deri në fund të majit në Shqipëri dhe Mal të Zi kanë kaluar më shumë se  6,700 refugjatë, më shumë së dyfishi i emigrantëve që kanë kaluar përgjatë gjithë vitit.

Megjithatë, dërgimi i  ushtrisë malazeze në kufijtë me vendin tonë, nuk ishte surprizë. Për shkak të rritjes së numrit të refugjatëve që kalojnë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria, Mali i Zi paralajmëroi në maj të këtij viti se do ndërtonte një gardh me tela përgjatë kufirit prej 26 kilometrash. Autoritetet malazeze kanë akuzuar shpesh shtetin shqiptar se lejon  emigrantët të kalojnë me lehtësi kufirin.  Ata janë shprehur disa herë për mediat vendase se Shqipëria nuk dëshiron të merret me njerëz që nuk planifikojnë të qëndrojnë në vend dhe se për autoritet shqiptare, refugjatët janë një problem me të cilin duhet të merren fqinjët.

Por kufiri shqiptar është duke u monitoruar vazhdimisht edhenga autoritetet greke. Pavarësisht rënies së flukseve të emigrantëve në kufirin greko-shqiptar, Frontex, mbetet në gatishmëri në Janinë.  Sipas njoftimeve, 11 oficerë të agjencisë europiane nga Gjermania dhe Polonia u janë bashkuar policëve grekë në rajon, nga frika se emigrantët mund të përpiqen të marrin një rrugë të re nga brigjet e Greqisë veriperëndimore,  për të hyrë më pas në Shqipëri,  Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe për të përfunduar në Kroaci.

Emigranntët kalojnë nga Mali i Zi në Bosnjë

Ballkani duket se është kthyer në rrugën e vetme të refugjatëve, për të shkuar drejt Europës Perëndimore, një situatë që duket se ka alarmuar pothuajse të gjitha vendet fqinje, përveç Shqipërisë. Pothuajse të gjitha vendet e rajonit kanë marrë masa për të ndalur ose përballuar fluksin e emigrantëve, por deri më tani, qeveria shqiptare nuk ka bërë të ditur asnjë strategji zyrtare. Sipas ekspertëve, rritja e numrit të refugjatëve që hyjnë në territorin shqiptar, përbën një kambanë alarmi,  pasi vendi ynë nuk ka infrastrukturën e duhur  për t’i akomoduar. Policia shqiptare bën me dije se të gjithë refugjatët e ndaluar së fundmi janë dorëzuar në qendrën e azilkërkuesve dhe strehimit të refugjatëve në Babrru por numri i lartë i të huajve që dërgohen aty çdo ditë duket se e ka vënë në vështirësi edhe këtë institucion. Kryetarja e zyrës së UNHCR-së në Tiranë e ka parashikuar këtë situatë alarmante rreth dy vite më parë, kur ngrinte alarmin se qeveria shqiptare nuk ka burimet e nevojshme për strehimin e refugjatëve.

Çfarë masash kanë marrë vendet e rajonit?

Mali i Zi tha qenë ndër të parë që ka kërkuar një marrëveshje me Frontex, për të mbrojtur kufijtë nga fluksi i ri i emigrantëve. Edhe pse nuk është vend i BE-së, Frontex ka sinjalizuar se do të vendosë ekipe në ato zona të Malit të Zi që kufizohen në BE.  Këtë qershor, kryeministri malazez Dushko Markoviç tha në një intervistë me televizionin publik austriak se po ndërmerr një sërë masash për të ulur fluksin e emigrantëve të paligjshëm që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Europian.

"Ne po forcojmë kontrollet kufiatare dhe kapacitetet tona, kemi nisur rindërtimin e një barake të vjetër kufitare në kufi me Shqipërinë, e cila mund të kthehet në një qendër pritëse për refugjatët, për të kontrolluar më mirë fluksin, tha ai.

Nga ana tjetër, Greqia dhe Gjermania kanë arritur ditën e djeshme një marrëveshje për rithkimin e refugjatëve.  Sipas këtij kompromisi të njoftuar nga ministri i Brendshëm gjerman, Athina do të marrë sërish të gjithë azilkërkuesit që aplikuan fillimisht për azil në Greqi, por u zhvendosën në Gjermani duke kaluar nëpër kufirin gjermano-austriak.

Mbetet e paqartë se çfarë do të marrë Greqia në këmbim, por në një marrëveshje të ngjashme me Spanjën, Berlini premtoi të ndihmonte në frenimin e numrit të emigrantëve që kalojnë Mesdheun nga Maroku.

Ndërkohë, Kroacia është kthyer në rrugëdaljen e vetme të refugjatëve pasi Hungaria mbylli kufirin me Serbinë. Edhe shteti kroat mbylli shtatë nga tetë kufijtë me Serbinë dhe ka forcuar ndjeshëm kontrollet kufitare. Por përpjekjet për të mbrojtur kufijtë janë përshkallëzuar shpesh herë në dhunë dhe përleshje mes rojeve kufitare dhe emigrantëve. Madje organizatat ndërkombëtare kanë raportuar se policia kroate po përdor dhunën për t'i kthyer refugjatët në Bosnje-Hercegovinë fqinjë. Emigrantët që janë larguar nga Kroacia kanë raportuar se policia kroate i ka trajtuar në mënyrë brutale. OJQ-të në rajon kanë paralajmëruar se dy javët e fundit, 17 femra u kthyen me forcë në Bosnje nga Sllovenia dhe Kroacia.

Nga ana tjetër, Sllovenia ka miratuar një projekt-ligj të ri që ashpërson masat për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në vendin e tyre, në përpjekje për të ndalur fluksin e azilkërkuesve. Më konkretisht, legjislacioni e bën më të lehtë për qeverinë që të refuzojë dhënin e azilit dhe zvogëlon sasinë e ndihmës financiare për refugjatët dhe familjet e tyre. Grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” kritikoi legjislacionin, duke thënë se i privon azilkërkuesit të drejtat e tyre. Ashtu si Kroacia, edhe Sllovenia ka filluar dëbimin me dhunë të refugjatëve drejt Bosnjës dhe ka blinduar pothuajse të gjithë kufijve me republikën fqinje.

E gjendur në këtë situatë të vështirë, qeveria e Bosnjë Hercegovinës është detyruar të ngrejë një sërë kampesh te reja për të përballuar fluksin e refugjatëve.  Shumica e tyre synojnë të kërkojnë azil brenda BE-së, por plani i Brukseli për të mbyllur kufijtë e kontinentit, mund të rezultonte fatal për Bosnjën, e cila do të shndërrohej në strehën kufitare të kontinentit. Në fillim të qershorit, Komisioni Europian ra dakord t’i japë Bosnjës 1.5 milion euro për ta ndihmuar në përballimin e valëve të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në BE. Si një pjesë kryesore e rrugës së emigrantëve drejt Europës Perëndimore, Bosnja vendosi të ngrejë një kamp refugjatësh në Velika Kladuša, pranë kufirit me Kroacinë. Kryeministri Denis Zvizdiç paralajmëroi gjithashtu se ishte kundër përpjekjeve të Bashkimi Europian dhe Kroacisë për ta kthyer Bosnjën në pikën e ndalimit të refugjatëve.

Sa refugjatë kanë hyrë në Shqipëri?

Vendi ynë ndodhet përgjatë rrugës së emigracionit ballkanik dhe atij mesdhetar, ku arrijnë shumica e azilkërkuesve që shpërndahen drejt BE-dë. Duke qenë se në Shqipëri, individët nuk kanë të drejtën e azilit, disa emigrantë riatdhesohen, ndërsa një pjesë tjetër vazhdojnë rrugën për t’u shpërndarë në të gjithë BE-në. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët raporton se gjatë 2018-ës në Shqipëri kanë hyrë 1,323 emigrantë. Përveç kësaj, autoritetet shqiptare kanë raportuar se 682 emigrantë u arrestuan gjatë përpjekjes për të dalë nga vendi drejt Malit të Zi. Madje sipas kësaj statistike të dhënë nga vetë policia, çdo 24 orë në vendin tonë ndalohen mesatarisht 10 refugjatë të huaj.

Numri më i madh i personave të kapur brenda territorit shqiptar i përket shtetasve nga Siria, ndërsa janë regjistruar edhe raste të ndalimit të shtetasve nga Jemeni, Iraku, Algjeria, Libia dhe Pakistani. Pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve të ndaluar janë kapur në zonën e Shkodrës teksa tentojnë të kalojnë kufirin drejt Malit të Zi me destinacion vendet e BE duke kaluar tranzit nga Shqipëria. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve që po kalojnë tranzit nga Shqipëria drejt vendeve të BE, kreu i Frontex, Fabrice Leggeri tha se do të vendosen 45 oficerë europianë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Sipas komunikatave të policisë së shtetit, në të gjitha rastet e konstatuara, refugjatët kanë hyrë në vendin tonë në rrugë ilegale nga kufiri i gjelbër pranë Kakavijës dhe më pas kanë tentuar të kalojnë tranzit.

Në një takim me kancelarin austriak Sebastian Kurz, në maj të këtij viti, Kryeministri shqiptar Edi Rama pretendoi se numri i emigrantëve “ilegalë” në Shqipëri u rrit nga 162 persona në janar të vitit 2017 në 2311 në vitin 2018. Kurz nga ana tjetër ka deklaruar disa herë se shpreson që ky shteg i ri i emigrantëve të mbyllet sa më parë të jetë e mundur. Ai planifikon t’i pengojë refugjatët që të kalojnë në mënyrë të paligjshme në brenda vendeve të Ballkanit. Kurz ka marrë tashmë mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë kontrollet e saj kufitare. Për herë të parë në Shqipëri ka mbërritur një grup i policisë kufitare europiane, Frontex,

Çfarë itinerari ndjekin refugjatët që hyjnë në Shqipëri?

Në një reportazh të realizuar kohët e fundit në rajon, gazetarët e “Rai 3” zbuluan se pjesa më e madhe e refugjatëve kalonin nga Janina, në Shqipëri, qëndronin disa ditë në Babrru për të pushuar dhe vazhdonin më pas në Mal të Zi, Bosnjë dhe hynin në Kroaci.

Ata intervistuan një sërë emigrantësh, të mbledhur në qendrën e refugjatëve pranë Tiranës, duke i pyetur edhe për vështirësisë që kanë hasur gjatë udhëtimit në Shqipëri.

 “Policia na solli në Tiranë- thotë Mohammed, duke qëndruar para hyrjes së qendrës pritëse për refugjatët- Disa marrin një taksi nga Kakavia. Kushton shumë, por të paktën këtu ke një vend ku mund të pushosh para se të shkosh drejt Malit të Zi “. Shqipëria ka nivele të larta të korrupsionit shtetëror. Autoritetet e dinë për kalimin e paligjshëm nëpërmjet taksive, por deri me tani nuk marrë asnjë masë.

“Qendra është momentalisht e mbyllur dhe ne kemi nevojë për leje që të hyjmë, kështu që po presim jashtë. Do të qëndrojmë këtu për nja dy ditë dhe pastaj do të udhëtojmë drejt Malit të Zi- shpjegon një tjetër mysafir në qendrën e azilkërkuesve- Ne largohemi nga Tirana ketë pasdite, për të shkuar drejt Hanit të Hotit, në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.  Aty policia është shumë e përpiktë. Ata kontrollojnë çdo vrimë dhe ndarje të mundshme në makinë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë