Ne rrjet

Vala e kokainës në Norvegji: Situatë kritike, deri në 900 kg të fshehura në kontejnerë bananesh nga Amerika e Jugut

Pak mjete dhe staf i pamjaftueshëm: trafikantët po përdorin portin e Oslos si një pikë shitjeje për drogën në Evropë. Dhe frika është se situata do të përkeqësohet

Gazeta Si - “Kemi sekuestruar një ngarkesë prej 900 kg”. Një doganier norvegjez i tha “Observer”-it: sekuestrimi ka të bëjë me një sasi kokaine dhe 900 kg ishin fshehur në një kontejner (me sa duket) me banane.

Frutat dhe droga mbërritën nga Kosta Rika dhe Ekuadori: porti i Oslos mirëpret rreth njëqind kontejnerë çdo javë.

Ngarkesa e çmuar (ajo e fshehur, jo ajo zyrtare), do të shitet më pas në të gjithë Evropën: nëse fshihet, kokaina është e vështirë të gjendet, sepse ka vetëm një skaner që mund të ekzaminojë të gjithë ngarkesën menjëherë dhe makineria është e përbashkët  në tre porte.

Një betejë, thonë autoritetet pa ngushëllim, e cila aktualisht duket pothuajse e pamundur për t'u luftuar.

Vitin e kaluar, doganat norvegjeze kanë bërë 1.847 sekuestrime, një numër që tejkalon totalin e 10 viteve të mëparshme dhe përfshin sasi rekord kokaine: 600, 800, 900 kg.

Në një bastisje pranverore u zbuluan 150 kg të fshehura nën një anije, të cilat trafikantët i kishin rekuperuar nga zhytës profesionistë.

Për të kryer me sukses operacionet, duket se lidhja lokale është e përbërë nga shoqata kriminale suedeze, “Foxtrot”. “Droga është e fshehur në fund të kontejnerit ose në pikën më të largët nga dera”, raportojnë doganierët.

Nga rrezet X, pakot duken si katrorë të zinj mes arkave të bananeve. “Shqetësimi ynë, – thotë Øystein Børmer, drejtor i përgjithshëm i doganave të kryeqytetit, – është që Norvegjia të bëhet porta hyrëse nga Amerika e Jugut në Evropë. Trafikantët ndryshojnë vazhdimisht mënyrën e tyre të veprimit: nëse ne fokusohemi në një vend, ata përdorin një tjetër".

Kryebashkiakia e Oslos, Anne Lindboe gjithashtu beson se situata është kritike: “Qyteti po bëhet porti i preferuar në Evropë për kriminelët. Ka shumë pak kontroll”.

Por edhe para se të mbërrijë në pjesën tjetër të kontinentit, një pjesë e kokainës mbetet në Norvegji, një vend që renditet i treti në Evropë për konsum: droga shitet kryesisht në klube nate dhe në festa.

Mund të mendohet se kur skaneri i përmendur më sipër është i disponueshëm, puna për policinë do të ishte e thjeshtë: në të vërtetë nuk është kështu.

Gjithsesi nevojitet fuqi punëtore që di ta përdorë dhe kontejnerët grumbullohen ditë pas dite: “Jemi pak, burimet dhe pajisjet nuk mjaftojnë. Për më tepër, stafi nuk paguhet mirë. Inteligjenca na ndihmon, por prania jonë është pengesa e parë për t'iu kundërvënë fenomenit".

Problemet në kufi nuk kufizohen vetëm në shitje, por hapin edhe çështje kritike në nivel social: fëmijët suedezë, për shembull, rekrutohen nga bandat kriminale daneze.

Bëhet fjalë për të mitur të moshës 12 vjeç, të cilët janë përfshirë në të shtëna që lidhen me trafikun e drogës.

Frika është se situata mund të përsëritet në Norvegji: "Ka shumë mundësi që ajo që ndodh në Suedi të arrijë këtu herët a vonë", komentojnë norvegjezët.

Ndërkohë, qeveria ka akorduar 25 milionë euro për burime në luftën kundër drogës për vitin 2025, me shpresën që kontejnerët e bananeve të kthehen në punë për tregti frutash dhe jo për trafik droge.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë