Shendet

Vaksinimi për gripin filloi, por vonë. Duhej të niste në shtator

Nga Gazeta Si - Këtë të enjte (27 tetor) nisi vaksinimi për gripin në vendin tonë pas ardhjes së 270 mijë dozave që kanë filluar brenda ditës të shpërndahen nëpër qendrat shëndetësore.

Por kur duhet të nisë vaksinimi për gripin?

Mjeku shqiptar në Londër, Laidon Shapo thotë për Gazetasi.al se vaksinimi kundër gripit sezonal normalisht kryhet me dy valë: një në fund të shtatorit dhe gjatë tetorit dhe tjetra në shkurt/mars.

“Raundi i parë është më i rëndësishmi dhe ofron diku tek 30-50% mbrojtje”, thotë Shapo, duke sqaruar se moshat mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese janë më të predispozuarit për t’u infektuar.

Ai sqaron se Covid-19 nuk e ka ndryshuar as kohën se kur duhet të kryhet vaksinimi për gripin dhe as rëndësinë e këtij procesi vaksinues.

I pyetur nëse nisja e vaksinimit në fund të tetorit është i vonuar, Shapo thotë se edhe pse nuk i kaluar koha, përsëri është i vonuar.

Të njëjtën gjë thanë edhe mjekët e familjes për Gazetasi.al.

“Edhe pse kurrë nuk është vonë, mirë është që vaksinimi të bëhet në shtator-tetor, që pa nisur akoma rastet e para me grip sepse kështu mund të parandalojmë pikërisht rastet e para”, thotë për Gazetasi.al një mjeke familje në Tiranë.

Shapo thotë se e rëndësishme është që procesi të kryhet Brenda 2-3 javësh me intensitet tek grupi i riskut që janë të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.

Por a mjaftojnë 270 mijë vaksina për këtë grup risku?

Sipas Instat, në Shqipëri vetëm të moshuar mbi 65 vjeç janë 435.378 persona.

Totali i të moshuarve në Shqipëri sipas Instat. Gazeta Si, 28 tetor, 2022.

Në këto kushte, vaksinat që po shpërndahen nuk mjaftojnë as për të vaksinuar gjysmën e të moshuarve, duke lënë mënjanë grupet e tjera të riskut që janë personat me sëmundje bashkëshoqëruese, punonjësit shëndetësor, forcat e rendit, edukatoret dhe mësuesit.

Shapo i mëshon faktit se vaksinimi për gripin duhet të kishte filluar më herët dhe se nuk duhet të harrojmë se Covid-19 vazhdon të jetë mes nesh, aq më shumë në prag dimri dhe për këtë vaksina e gripit është e rëndësishme pasi krijon një mbrojtje për grupet e riskut.

Problemet me vaksinat e gripit nuk janë të reja, pasi të paktën vitet e fundit janë vënë re disa 'shkelje'.

Në dhjetor të vitit 2020 Gazetasi.al zbuloi se në vend ishin rreth 933 mijë persona që ishin pjesë e kategorive që duhet të merrnin vaksinën falas, ndërkohë që u shpërndanë vetëm 380 mijë doza vaksinash.

Në atë kohë, Gazetasi.al shkroi se mungesa e vaksinës ka rritur edhe korrupsionin.

Burime të sigurta në qendra shëndetësore të Gazetasi.al në qytetin e Lushnjes, Lezhës, Tiranës (zonave periferike), Fierit dhe qyteteve të tjera, kanë treguar asokohe se vaksinat e gripit të cilat jo vetëm shkojnë në sasi të vogla, por merren nga stafi mjekësor për familjarët e tyre, duke lënë kështu pas personat e tjerë dhe duke anashkaluar planifikimin e marrjes së vaksinave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë