Shendet

Vaksinim në të njëjtën ditë për gripin dhe Covid-19

Ka nisur sot vaksinimi falas kundër gripit stinor, i cili do të kombinohet njëherësh me vaksinën përforcuese kundër Covid19 në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se kanë mbërritur në vendin tonë 270 mijë doza të vaksinave kundër gripit dhe po shpërndahen në gjithë qendrat shëndetësore. Fokusi për vaksinimin kundër gripit është tek ata të cilët kanë problematika shëndetësore, tek të moshuarit mbi 60 vjeç, tek punonjësit shëndetësore, tek forcat e rendit, tek edukatoret dhe tek mësuesit.

Duke i’u referuar rekomandimeve te Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se vaksinimi kundër gripit duhet të kryhet në të njëjtën kohë dhe me vaksinimin kundër Covid19.

“Duke qenë se tashmë janë kapur rastet e para me grip në vendin tonë, është e rëndësishme për të filluar me intensitet këtë fushatë vaksinimi që edhe pse do të jetë një fushatë e kombinuar vaksinimi, të vaksinave të gripit dhe atyre kundër Covid19, të ketë një përqasje të mirë në komunitet dhe të lajmërohen të gjithë grupet e riskut nëpërmjet mjekëve të familjes dhe nëpërmjet strukturave tona të shëndetësisë”, ka thënë Manastirliu duke shtuar se që në momentin që do të aplikohet vaksina kundër gripit, do të aplikohet paralelisht edhe vaksina kundër Covid, qoftë përsa i përket dozave të para dhe të dyta por edhe për dozat booster apo ato përforcuese.

Përpos vaksinave të gripit, pas amendimit të marrëveshjes me kompaninë Pfizer, Shqipëria do të sigurojë rreth 700 mijë doza të vaksinave të adaptuara kundër Covid19, të cilat përfshijnë dhe nënvariantet e reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë