Shendet

Nis vaksinimi +18, por duken se të rinjtë nuk janë shumë të interesuar

Të hënën nisi vaksinimi për qytetarët +18, por të rinjtë duken se nuk e kanë mirëpritur. Nëpër qendrat e vaksinimit janë të paktë personat nën 50+ që presin në radhë për t’u vaksinuar. Popullata e re është e painteresuar në qendrat e vaksinimit. Në stadiumin “Air Albania” shikon 3-4 veta të moshuar që ishin me sëmundje kronike dhe aspak të rinj, ndërkohë që në qendrën e vaksinimit në “Sheshin Skënderbe” të rinjtë numërohen me gishta dhe të moshuarit janë të vazhdueshëm, por përsëri numri i qytetarëve është i ulët në tërësi, aq sa disa stenda vaksinimi janë mbyllur.

Afër qendrave të vaksinimit më të shumtë ishin qytetarët e moshuar, edhe pse të paktë në numër. Ata thanë për Gazetën “Si” se kanë ardhur për t’u vaksinuar në këtë periudhë të qetë (pa shumë radhë) sepse në shtator mund të ketë më shumë njerëz. Ministria e Shëndetësisë në njoftimin e saj deklaroi se vaksinimi mund të kryhej edhe në qendrat shëndetësore të lagjeve, por gjatë vëzhgimit të Gazetës “Si” u konstatua se as atje nuk kishte një interes të madh ndaj vaksinimit.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se procesi i vaksinimit për të rinjtë fillon me 19 korrik dhe mbaron me 25 korrik, pasi do të ketë edhe ditë e javë të tjera të lira për vaksinim. Ministria e Shëndetësisë gjithashtu ka njoftuar se në terren do të ketë edhe njësi lëvizëse për të kryer vaksinimin e plotë për të rinjtë mbi 18 vjeç. Procedura për të marrë dozën e vaksinës funksionin në mënyrë të tillë, një person paraqitet me mjet identifikimi pranë Qendrës së tij Shëndetësore, ose qendrës më të afërt të vaksinimit dhe bën vaksinën duke ruajtur veten dhe të afërmit. Ndërkohë, në të gjithë vendin tonë janë kryer më shumë se 1 milionë doza të vaksinës kundër Covid 19, ku gati gjysma e tyre kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.
Në një vëzhgim të mëparshëm kur u hapën dy ditë për t’u vaksinuar grupe mosha +18, Gazeta “Si” në biseda me të rinjtë në qendrën e vaksinimit, konstatoi se ata nuk parapëlqenin vaksinën Coronavax, duke refuzuar ta bëjnë ate.
Nga ana tjetër edhe vendi ynë është përballë një rreziku nga varianti Delta, i cili në disa shtete po mbizotëron në rastet e reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë