Treg

Vaksina e gripit monopol në Shqipëri, Konkurrenca nis hetimin

Teksa kemi hyrë në sezonin e virozave dhe kur vaksinat anti-grip janë sugjeruar me forcë nga mjekët për t'u dhënë mundësi atyre në mes të pandemisë që të bëjnë diagnozën e diferencuar, tregu shqiptar ka problem me vaksinat. Ato nuk mund t'i gjesh rëndom në çdo farmaci.

Autoriteti i Konkurrencës ka zbuluar se “MEGAPHARMA” SHPK, është ndërmarrja e vetme e autorizuar për të importuar dhe për të hedhur në treg vaksinën INFLUVAC SUB-UNIT TETRA, (Suspension for injection x (15mcg HA+15mcg HA+15mcg HA+15mcg HA)/0.5ml, Box x 1pre-filled syringe ëith needle, me mbajtës të autorizimit për tregtim “Sanofi Pasteur” Francë dhe me prodhues “Abbot Biologicals BV” Holandë) e cila ka shkelur ligjin e konkurrencës pasi sipas Autoritetit ka  furnizuar vetëm rrjetin e farmacive “Orange” ku zotëron 75% të kapitalit të këtij rrjeti.  

Konkurenca e zbuloi shkeljen e ligjit pasi inspektoi  gjashtë farmaci dhe vuri re se vaksina në fjalë  mund të gjendej vetëm pranë rrjetit të farmacive “Orange”, ku ndërmarrja “MEGAPHARMA”SHPK zotëron shumicën e kapitalit.

Nga inspektimi u konstatua gjithashtu se farmacitë e tjera deklarojnë se nuk posedojnë vaksinën, dhe se në të gjithë rastet e kërkesës për furnizim, gjatë fillimit të muajit tetor 2020, depoja e furnizimit “MEGAPHARMA”SHPK është shprehur se nuk disponon sasi për të kryer furnizimin e këtyre farmacive. Por në të vërtetë sipas Konkurrencës, nga inspektimi rezultoi se farmacia “Orange”, gjatë po të njëjtës periudhë, është furnizuar me vaksinën “INFLUVAC SUB-UNIT TETRA” nga shoqëria “MEGAPHARMA SHPK” dhe e tregton atë rregullisht.

“Si përfundim, vlerësojmë se jemi përpara një rasti urgjence, pasi mos furnizimi i farmacive apo depove farmaceutike me vaksinën  në fjalë”, të cilat operojnë në tregun tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore sjell nxjerrjen nga tregu të këtyre ndërmarrjeve për sa i përket produktit në fjalë. Nxjerrja nga tregu e ndërmarrjeve që ushtrojnë aktivitet në tregun tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore mund të sjellë një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën dhe ka të ngjarë të ketë shkelje të ligjit”, deklaron Autoriteti i Konkurrencës.

Ai ka vendosur që të marrë masë të përkohshme ndaj ndërmarrjes “MEGAPHARMA SHPK” në tregun e tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore duke e detyruar të furnizojë të gjitha depot dhe farmacitë e tjera dhe jo vetëm rrjetin e farmacive “Orange”, me vaksinën e gripit.

Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedures hetimore. .Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, ndërmarrja “MEGAPHARMA SHPK” ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Gjithashtu, në rast të moszbatimit të masave të përkohshme brenda afateve të përcaktuara, Komisioni i Konkurrencës vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore, deri sa ndërmarrja “MEGAPHARMA SHPK” të veprojë në përputhje me vendimin e Konkurrencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë