Futboll

Vajzat në futboll, FSHF sjell Disney-n në Shqipëri me programin “Playmakers”

Së shpejti në vendin tonë do të vijë kompania e famshme “Disney” dhe kjo do të bëhet e mundur nga FSHF përmes programit “Playmakers”. Më konkretisht, është një bashkëpunim me UEFA-n dhe Federatën Angleze të Futbollit, që ka si qëllim përfshirjen e vajzave në futboll.

Lajmi bëhet i ditur nga FSHF, sipas së cilës bëhet fjalë për një program të UEFA-s për të punuar ngushtë me federatat në nivel fillestar për të siguruar më shumë mundësi për vajzat që të dashurohen me futbollin. Bashkëpunimi me “Disney” është krijuar për të frymëzuar vajzat e moshës 5 deri në 8 vjeç, të cilat nuk kanë luajtur kurrë futboll, për të përjetuar lojën për herë të parë.

“Playmakers” do të vijë edhe në Shqipëri, teksa FSHF është në hapat e fundit të konkretizimit të projektit, që siguron një mjedis posaçërisht për vajzat dhe ka në fokus argëtimin dhe miqësinë dhe futbollin. Drejtuesi i këtij projekti në FSHF, Erand Ibrahimi, mes të tjerash thotë:

Erand Ibrahimi dhe ish-trajneri i Kombetares, Kristian Panuçi. Gazeta Si, 10 maj 2021

“Ne aspirojmë të zhvillojmë një mjedis futbolli, ku çdo femër mund të gjejë një vend të sigurt dhe të kënaqshëm për të luajtur. Ky program që ka në fokus vajzat nga mosha pesë deri në tetë vjeç, do të ndihmojë federatën të angazhojë vajzat e reja që luajnë futboll për herë të parë. Edhe kompania ‘Walt Disney’ ka një angazhim për të frymëzuar breza të ardhshëm më të shëndetshëm, duke përdorur ndikimin e jashtëzakonshëm të personazheve dhe tregimeve të Disney-t.

Fëmijët janë të motivuar të bëjnë zgjedhje të frymëzuar nga personazhet e tyre të preferuar. Me këtë në mendje, Disney bashkëpunon në një sërë iniciativash që përdorin fuqinë e rrëfimit të tregimeve si një forcë pozitive për t’i nxitur fëmijët dhe familjet të aktivizohen dhe ushqehen më shëndetshëm. Ky program realizohet në bashkëpunim me UEFA-n dhe ka treguar se ka dhënë rezultate të mira në strategjinë e zhvillimit të futbollit për femra”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë