Jete & Stil

Vajza që shpëton bimët

Çfarë bëni kur bimët që keni në shtëpi fillojnë dhe shtohen aq shumë sa bëhet e vështirë të menaxhohen? Me siguri i lini të thahen derisa të përfundojnë në kosh.
Në Kaunas, Lituani, Aistė Virketė është një grua me një mision të veçantë. Ajo kërkon t'u japë këtyre bimëve të padëshiruara një shans të dytë.
Gjithçka filloi kur Virketė po krijonte studion e saj të fotografive. Si një adhuruese e bimëve, ajo dëshironte një sfond të gjelbër por bimët nëpër dyqane ishin shumë të shtrenjta.
Në këtë mënyrë filluan miqtë të dhuronin bimë që nuk i donin më por prap nuk mjaftonin kështu që ajo filloi të kërkonte diku tjetër.
Pasi kërkoi në internet, Virketė zbuloi se shumë njerëz jepnin bimë për arsye të ndryshme si për shembull po thaheshin, ishin rritur shumë ose thjesht nuk përshtateshin më me shtëpinë ku ishin.
Kështu, pasioni i saj për bimët u bë një mision që la në hije fotografinë.
Rezultati? "Gyvybės Langelis", ose ‘Dritarja drejt Jetës’, u formua dhe ishte një nga të parat vende për të mos thënë i vetmi që "strehonte" bimë në botë.

Aistė Virketė

Kanë kaluar dy vite dhe Virketė tani punon me kohë të plotë në këtë projekt.
Ajo ka mbi 800 lule të ndryshme në hapësirën ku punon e cila e mori me qera nga një biznes. Ajo thotë se tani për tani është mirë por së shpejti do të ndërtojë një serë të madhe me kushte më të mira për bimët e saj pasi aty ku janë tani nuk ka hapësirë si dhe është ambient i mbyllur çka i pengon bimët të lulëzojnë.

Bimët mund t'i ndihmojnë njerëzit
Virketė është një terapiste e çertifikuar dhe ajo përdor bimë të ndryshme për mirëqenien mendore dhe për të edukuar njerëzit për rëndësinë e natyrës. Në hapësirën aktuale kjo nuk është e mundur pasi janë shumë pak bimë, por ajo parashikon një të ardhme ku efektet pozitive të të qenit i rrethuar me gjelbërim mund të ndihen nga të gjithë ata që e vizitojnë.

Virketė me një nga personat që shkojnë të shohin bimët

Është vërtetuar se bimët përmirësojnë gjendjen tonë shpirtërore duke ulur stresin dhe rritur produktivitetin si dhe studimet kanë zbuluar gjithashtu që bimët ndihmojnë në rikuperimin e pacientëve të ndryshëm në spitale pasi raportojnë më pak dhimbje pas operacionit sepse në dhomën e tyre ndodhen lule të ndryshme.
Ato gjithashtu mund të pastrojnë ajrin përreth dhe që bimët të kenë një ndikim në pastrimin e ajrit, duhet të ketë një sasi të konsiderueshme të vendosura në një mjedis me shumë dritë, ashtu si sera që Virketė ëndërron të ndërtojë.

Fëmijë që vizitojnë punën e Virketė

"Hapësira e re do t'u japë bimëve një "profesion të respektueshëm", ku ato mund të jenë edhe një herë të nevojshme për njerëzit." thotë ajo.
Virketė i sheh bimët e braktisura si një mënyrë për të lidhur njerëzit, veçanërisht fëmijët, me rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Burimi: EuroNews. Përktheu: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë