Futboll

Uzuni shitet për 1.8 milion euro në Hungari, përfiton edhe Laçi

Myrto Uzuni do të jetë lojtar i Ferencvaroshit, kampionëve të Hungarisë, për katër sezonet e ardhshme. Lojtari beratas i Kombëtares shqiptare ka arritur marrëveshjen me këtë klub, pritet vetëm që sulmuesi anësor të kryejë vizitat mjekësore, të parashikuara për të enjten, dhe më pas prezantimi. Lajmi bëhet i ditur nga mediet kroate dhe ato hungareze.

Lokomotiva e Zagrebit, klubi aktual i Uzunit, përfiton 1.8 milion euro nga shitja e futbollistit shqiptar. Sulmuesi ka spikatur në kampionatin kroat me lojën dhe golat e tij, duke tërhequr vëmendjen edhe disa skuadrave të tjera europiane, mes tyre edhe Majorkës dhe Getafes në Spanjës, siç raporton “Vecernji list” në Kroaci. Ferencvaroshi është ekipi më i njohur hungarez, që ka bërë emër edhe në Europë, por fakt është se lojtari kuqezi kalon në një kampionat më të dobët se ai kroat. Kuptohet që në këtë rast ka vendosur oferta e mirë financiare.

Uzuni, kur prezantohej te Lokomotiva e Zagrebit. Gazeta Si, 15 korrik 2020

Nga shitja e Uzunit përfiton edhe klubi i Laçit, që ka mbajtur 20% të kartonit kur e shiti beratasin te Lokomotiva e Zagrebit. Bëhet fjalë për një përfitim prej më shumë se 300 mijë eurosh nga Laçi, një shumë e konsiderueshme për një klub shqiptar. Futbollisti 25-vjeçar u transferua në vitin 2018 nga Laçi te Lokomotiva e Zagrebit. Gjatë dy sezoneve të fundit ai ka bërë një paraqitje të mirë në Kroaci, duke fituar edhe Kombëtaren. Sezonin e parë shënoi 7 gola në 29 ndeshje, kurse sezonin e fundit 9 gola në 30 ndeshje.

Uzuni ka dalë si lojtar nga Tomori, ekipi i qytetit të lindjes. Nivelin e tij e tregoi më pas me fanellën e Apolonisë, ku luajti për herë të parë në Superiore. Pastaj kalimi te Laçi dhe “peshkimi” nga Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci, një klub i njohur si oazi i shqiptarëve. Me këtë ekip luajnë edhe Tuci, Çokaj, Mersinaj dhe Kastrati. Uzunin tani do ta shohim në Hungari, një kampionat që pritet të jetë një trampolinë për të.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë